Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot, për të tretën ditë me radhë, do të vazhdojë, me deklarata përmbyllëse, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në Hagë, pritet të nisë fjala përmbyllëse i ekipit të mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Të martën, me fjalën e mbrojtësit të viktimave, Simon Laws, është përmbyllur dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ndaj ish-eprorëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, raporton RTKlive.
Gjatë ditës, dje, Prokuroria e Specializuar përfundoi fjalën e saj përmbyllëse, duke pretenduar se Hashim Thaçi kishte mashtruar ndërkombëtarët, duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes lidhur me UÇK-në dhe ish-udhëheqësit e saj duhet të vlerësohen me rezervë.
Të hënën prokurorja e specializuar Kimberly West, njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim apo 180 vjet në total.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e mbajti përfaqësuesi i viktimave, i cili kërkoi që në vendimin e trupit gjykues të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit, raporton RTKlive.
Ndryshe, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë mohuar duke i cilësuar si të pabazuara.
Mbrojtja ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të organizuar komanduese dhe se krimet që i atribuohen katër të akuzuarve nuk janë të provuara.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa ky proces ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë.



Të tjera
Asambleistët e PDK-së në Prishtinë kërkojnë që ora e parë e 16 shkurtit t’i kushtohet rolit të UÇK-së
Valon Berisha transferohet tek Zurich në Zvicër
‘Plisat’ mbështesin protestën e 17 shkurtit: Drejtësia nuk negociohet