Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Sheqerinska, ka theksuar rëndësinë e investimeve në mbrojtje për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, një rajon i cili, sipas saj, ndikohet jo vetëm nga zhvillimet globale gjeopolitike, por edhe nga dialogu politik.
Në një intervistë për agjencinë Beta, gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, Sheqerinska u shpreh se Aleanca vazhdimisht u bën thirrje autoriteteve në rajon të angazhohen në dialog, të zgjidhin çështjet politike të pazgjidhura dhe të mbështesin prosperitetin dhe stabilitetin rajonal.
“Ne besojmë se të gjitha vendet e rajonit mund dhe duhen të kontribuojnë për stabilitetin. Prandaj presim mbështetjen e tyre në këtë drejtim”, tha ajo, raporton N1.
Duke u pyetur për takimin e fundit midis zyrtarëve të mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për paralajmërimin për ushtrime të përbashkëta ushtarake – në një kontekst ku Ministria e Mbrojtjes e Serbisë paralajmëroi për pasoja të mundshme afatgjata për sigurinë rajonale – Sheqerinska nënvizoi se Shqipëria dhe Kroacia, si anëtare të NATO-s, janë kontribuues të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin.
“Ato janë jo vetëm aleate të besueshme brenda Aleancës, por edhe kontribuues të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon. Marrin pjesë aktivisht në KFOR dhe janë shumë të përkushtuara në mbështetje të kësaj agjende”, deklaroi ajo.
Sheqerinska gjithashtu shtoi se NATO-ja nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për deklaratën e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes që nënshkruan Zagrebi, Tirana dhe Prishtina në mars të vitit të kaluar, por se anëtarësimi në Aleancë nuk pengon vendet të kenë marrëveshje të tjera të mbrojtjes me palë të treta.
Ajo theksoi se situata globale gjeopolitike ka ndikuar edhe në Ballkanin Perëndimor, duke çuar në më shumë ushtrime ushtarake dhe rritje të investimeve në mbrojtje. Megjithatë, NATO vazhdon t’i nxisë vendet që të angazhohen paralelisht në dialog politik dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Sheqerinska rikujtoi gjithashtu mbështetjen e NATO-s për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me synimin për të krijuar një mjedis të favorshëm për zgjidhje politike.
“Nuk kam dyshim se të gjithë aleatët tanë besojnë fuqishëm se siguria, paqja dhe prosperiteti janë rruga e vetme për Ballkanin Perëndimor,” përfundoi ajo.
Gjatë ditës së djeshme, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, u takuan ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Ministri kroat Ivan Anushiq deklaroi se bashkëpunimi ushtarak mes tri vendeve nuk paraqet kërcënim për askënd, duke iu përgjigjur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte paralajmëruar për rritje të investimeve në mbrojtje si pasojë e kësaj aleance.



Të tjera
SHBA kryen 10 sulme ajrore kundër mbi 30 objektivave të ISIS-it në Siri
Simptomat e goditjes nga i nxehti që nuk duhet t’i injoroni
Enver Hoxhaj udhëton për Mynih, merr pjesë në Konferencën e Sigurisë