Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili po përballet me akuza nga Dhomat e Specializura në Hagë në deklarimin e tij përfundimtar në kuadër të këtij procesi ka thënë se drejtësia, ndonëse mund të vonohet, nuk mund të mohohet. “Unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë… Veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore”, ka thënë ai.
Veseli ka theksuar se Gjykata duhet me çdo kusht ta mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe paanësinë.
“Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore, është kontributi i saj i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate. Ky është edhe shkkau që ju bashkova atyre mijëra grave dhe burrave që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e Kosovës, dhe pse i kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim që çdo qytetarë të gëzojë drejtësi dhe që bota ta njohë të vërtetën për kombin tonë. Edhe ne momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë. Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm. Unë e di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm, kjo është një përvojë qe nuk do të ia dëshiroj askujt. Pas dekadash hetime dhe dokumentesh, nuk ka asnjë provë se kam kryer krime”, shtoi Veseli.
Veseli ka thënë se ka besuar gjithmonë se populli i Kosovës si çdo popull tjetër në botë kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar në liri dhe me dinjitet.
“Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund dhe se drejtësia do të vinte edhe nëse vjen me vonesë. Në të njëjtën kohë kurrë nuk kam besuar se dhuna, urrejtja, apo hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm, ato shkatërrojnë shpirtin e një populli jo vetëm të viktimës. Urrejtja është vetëm një formë tjetër e robërisë, liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë, as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim, një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta. Ky nuk ka qenë vetëm një parim teorik për mua por një bindje e thellë morale që ka udhëhequr secilin veprim timin”, ka thënë Veseli.



Të tjera
Çmimet në janar 5.8 % më të larta se një vit më parë
Fjalët përmbyllëse ishin analitike, besoj fuqishëm se mund të lirohen të gjithë të akuzuarit
Sali Berisha uron besimtarët myslimanë në prag të nisjes së Ramazanit