Shtetet e Bashkuara propozuan të martën një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të mbrojtur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
“Sipas udhëzimeve të presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara, së bashku me Bahreinin dhe partnerët tanë në Gjirin Persik – Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Katarin – hartuan një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të mbrojtur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një deklaratë.
Rubio tha se ky hap vjen ndërsa “Republika Islamike e Iranit vazhdon të mbajë peng ekonominë botërore me përpjekjet e saj për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, kërcënimet për të sulmuar anijet në këtë zonë, vendosjen e minave detare që paraqesin rrezik për transportin detar dhe përpjekjet për të vendosur tarifa për këtë rrugë ujore më të rëndësishme në botë”.
“Projektrezoluta kërkon që Irani të ndalojë sulmet, vendosjen e minave dhe vendosjen e tarifave”, tha Rubio, duke shtuar se ajo “kërkon që Irani të zbulojë numrin dhe vendndodhjen e minave detare që ka vendosur dhe të bashkëpunojë në përpjekjet për t’i hequr ato, duke mbështetur gjithashtu krijimin e një korridori humanitar”.
“Shtetet e Bashkuara presin që kjo rezolutë të hidhet në votim në ditët në vijim dhe të marrë mbështetjen e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe një baze të gjerë bashkësponsorizuesis”, shtoi ai.
Tensionet rajonale janë rritur që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani dhe ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi më pas u zgjat nga presidenti amerikan Donald Trump pa një afat të caktuar.
Që nga 13 prilli, SHBA-ja ka zbatuar një bllokadë detare që synon trafikun detar iranian në këtë rrugë ujore strategjike.



Të tjera
Nëntë cepat më të papastër të shtëpisë tuaj
Papa Leoni sërish i përgjigjet Trumpit: Misioni ynë është predikimi i paqes
SHBA-ja propozon rezolutë në OKB për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit