Seancë maratonë prej 18 orësh në Kuvendin e Shqipërisë, PS voton ligjin për diplomatët

Seancë maratonë prej 18 orësh në Kuvendin e Shqipërisë, PS voton ligjin për diplomatët

Parlamenti shqiptar  ka votuar me 75 vota pro të maxhorancës ligjin e ri për shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë.

Në një seancë maratonë që ka zgjatur plot 18 orë, deputetët e majtë mbështetën draftin e ardhur nga Ministria e Jashtme dhe që ndër të tjera parashikon edhe testimin e diplomatëve brenda 12 muajve të hyrjes së tij në fuqi.

“Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre. Procedurat dhe kriteret e testimit do të përcaktohen me akt nënligjor. Dispozitat e kësaj pike do të zbatohen brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit”, thuhet në pikën 3 të nenit 68.

Opozita e votoi kundër projektligjin, ndërsa deputeti Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë abstenoi, shkruan Topchannel, transmeton Klankosova.tv.

Shumica nga ana e saj rrëzoi në bllok gjashtë projektligje të opozitës, ku dy ishin propozuar nga Ina Zhupa (për trashëgiminë kulturore dhe një ndryshim në ligjin e arsimit të lartë), dy nga Jorida Tabaku (për statusin e minatorit dhe akcizat) dhe një nga grupi parlamentar i PL-së (për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe analizat laboratorike të ndotësve në ushqim).

Projektligjet morën vetëm 17 vota pro të opozitës në votimin në parim, pa mundur të kalonin në votimin nen për nen.

Nga ana e maxhorancës, deputeti Erjon Braçe abstenoi në tre propozime të opozitës, ndryshe nga grupi i tij që votoi kundër.