Pasivizimi i adresave paraqet një nga format më serioze të diskriminimit institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kam vazhduar vazhdimisht të theksoj këtë problem, por shteti nuk po reagon. Përshëndes qëndrimin e kryeministrit Kurti dhe ftoj përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që të merren më seriozisht me këtë çështje, si dhe me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thënë për RTKLive lideri i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputeti në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Gjatë një takimi të fundit me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetaren e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përveç analizës së situatës politike në rajon, ka ngritur edhe çështjen e statusit të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke shprehur shqetësim për pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për Luginën e Preshevës nga Qeveria e Kosovës.
“Pasivizimi i adresave përbën një nga format më serioze të diskriminimit institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Përmes këtij mekanizmi administrativ, shumë qytetarë fshihen nga regjistrat e vendbanimit, duke humbur në mënyrë faktike të drejtat themelore qytetare: të drejtën e votës, qasjen në shërbimet shëndetësore dhe sociale, si dhe mundësinë e punësimit. Si deputet, kam theksuar vazhdimisht se ky nuk është vetëm një problem administrativ, por një çështje politike që ndikon në strukturën demografike dhe etnike të rajonit. Duke pasur parasysh se shteti i Serbisë nuk i merr parasysh vërejtjet tona, ndërkombëtarizimi i këtij problemi bëhet i domosdoshëm. Prandaj përshëndes qëndrimin e kryeministrit Kurti dhe u bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që të merren më seriozisht me këtë çështje, si dhe me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thënë Kamberi për RTKLive.
Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Serbisë, Kamberi, si udhëheqës i listës zgjedhore “Lufta politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, është përfaqësuesi i vetëm i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi. Ai është anëtar i grupit parlamentar që përfshin Lëvizjen e Qytetarëve të Lirë, Partinë e Aksionit Demokratik të Sanxhakut dhe Partinë për Veprim Demokratik (PVD). Njihet si një nga zërat më të spikatur opozitarë në parlament, i cili shpesh flet për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe proceset demokratike në Serbi. Para se të bëhej deputet në disa mandate, Kamberi ka qenë dy herë kryetar i Komunës së Bujanocit.
Ndryshe nga partitë e tjera të komuniteteve më të vogla, sidomos boshnjakët dhe hungarezët, shqiptarët nuk janë pjesë e strukturës qeverisëse në nivel shtetëror në Serbi. Në intervistën për RTKLive, Kamberi thotë se partia që ai drejton ka zhvilluar bisedime me Partinë Përparimtare Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq, por nuk ka pasur propozime që do të çonin drejt një partneriteti politik me shumicën qeverisëse.
“Ndryshe nga partitë e komuniteteve të tjera që kanë vendosur të jenë pjesë e shumicës qeverisëse, ne që nga fillimi kemi pasur një qëndrim të qartë politik se nuk mund të jemi pjesë e një pushteti që në mënyrë sistematike neglizhon të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe që dëmton institucionet demokratike në Serbi. Politika jonë nuk bazohet në ndarjen e posteve, por në parimet e barazisë, përfaqësimit institucional dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Bisedime me përfaqësuesit e SNS-së ka pasur deri në vitin 2023, siç ndodh në politikën parlamentare, por kurrë nuk ka pasur propozime serioze për të folur për partneritet politik. Synimi ynë është ‘integrimi nga poshtë’ – drejtësia, policia dhe shërbimet e tjera republikane, ndërsa vetëm si hap i dytë mund të vijë përfshirja eventuale në qeveri. Gjithashtu, për të qenë pjesë e pushtetit duhet të ndani minimumin e vlerave të përbashkëta dhe gatishmërinë për të zgjidhur problemet e komunitetit që përfaqësoni. Këtë deri më tani nuk e kemi parë”, ka thënë Kamberi.
RTKLive: Si do ta përshkruanit pozitën tuaj si deputet në Kuvendin e Serbisë?
KAMBERI: Pozita e një deputeti opozitar, sidomos e një deputeti që vjen nga komuniteti shqiptar, nuk është e lehtë. Shpesh keni ndjenjën se po flisni për probleme që pushteti nuk dëshiron as t’i dëgjojë. Megjithatë, mendoj se është e rëndësishme që zëri i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës të dëgjohet në Kuvendin e Serbisë, pavarësisht qëndrimit të shumicës.
RTKLive: A ka ndodhur që shumica qeverisëse të mbështesë apo të miratojë ndonjë propozim apo amendament tuajin?
KAMBERI: Fatkeqësisht, edhe kur disa amendamente tona janë pranuar teknikisht ose pjesërisht, problemet thelbësore të diskriminimit – pasivizimi i adresave, njohja e diplomave, zhvillimi i pamjaftueshëm i rajonit dhe përfaqësimi i ulët i shqiptarëve në institucione – mbeten pa vullnet politik për zgjidhje.
RTKLive: Kur i prisni zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale?
KAMBERI: Në Serbi zgjedhjet shpesh shpallen jo për nevoja institucionale, por për interesa politike të pushtetit. Prandaj nuk është thelbësore kur mbahen zgjedhjet, por në çfarë kushte zhvillohen. Nëse mbeten të njëjtat kushte mediatike, presionet ndaj votuesve dhe keqpërdorimi i resurseve shtetërore, vështirë të priten ndryshime thelbësore. Megjithatë, pakënaqësia qytetare po rritet dhe Serbia ka hyrë në një periudhë polarizimi të thellë politik e shoqëror.
RTKLive: Si i vlerësoni takimet me delegacionin e Parlamentit Evropian?
KAMBERI: Ka një shqetësim në rritje në institucionet evropiane për drejtimin autoritar të Serbisë. Ishte e rëndësishme që ngritëm edhe çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
RTKLive: A do t’i përmbushë Serbia kërkesat e BE-së?
KAMBERI: BE-ja vendos kushte të qarta për sundimin e ligjit dhe demokracinë, por pushteti në Serbi shpesh i pranon ato vetëm formalisht, duke shmangur reformat reale.
RTKLive: Si do të reagojë Beogradi?
KAMBERI: Kam frikë se do të vazhdojë të blejë kohë. Fjalët nuk mjaftojnë më.
RTKLive: Çfarë nevojitet?
KAMBERI: BE-ja duhet të mbajë qëndrim të qartë dhe të prerë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
RTKLive: Rasti “Banjska”?
KAMBERI: Është çështje serioze me pasoja rajonale. Nëse dikush pranon publikisht përfshirjen, institucionet duhet të veprojnë. Por ekziston frika se nuk do të ketë drejtësi të plotë për shkak të ndikimeve politike.



Të tjera
Shkaqet e një martese të ftohtë
Kurti: Regjistrimi i fëmijëve pa dokumente fizike dhe procedura të gjata
Pse bëhemi të këqinj me të tjerët kur mund të bëhemi heronj?