Prioritet i Qeverisë janë këto dy projektligje, për Byronë dhe çmimet tavan

Prioritet i Qeverisë janë këto dy projektligje, për Byronë dhe çmimet tavan

Kryeministri Albin Kurti, sot, në mbledhjen e dytë të qeverisë, ka thënë se janë dy ligje që do t’i kenë prioritet.

“Në kuadër të agjendës legjislative do të prioritizojmë procedimin e Projektligjit për Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligjin e ri për çmimet tavan”, ka theksua Kurti në mbledhjen e Qeverisë që është mbajtur të premten.

Po ashtu Qeveria miratoi edhe Projekt-rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të ministrive si dhe Projekt-programin e vlerësimit Ex-Post të Akteve Juridike.

Gjithashtu Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e amendamentit Nr. 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017, pjesa e parë si dhe Projektligjin për ratifikimin e amendamentit Nr. 3 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për programin IPA 2018.

Ekzekutivi e ka miratuar edhe Projekt-rregulloren për procedurën e shqyrtimit administrativ të akteve të komunave.

Gjithashtu Qeveria ka marrë vendim që të themelojë ndërmarrjen publike lokale “Fushë-Kosova” Sh. A. në Fushë-Kosovë dhe ndërmarrjes publike lokale “Eko Drenasi” Sh. A., në Drenas.

Qeveria e Kosova gjithashtu ka miratuar pakon e 19-të të masave kundër Federatës Ruse dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka miratuar 18 pako paraprake të masave kundër këtyre shteteve, me të fundit të miratuar në shtator të vitit 2025, duke ku theksuar se sanksionet janë në përputhje me masat e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova synon promovimin e paqes, demokracisë dhe lirinë e njeriut, teksa theksoi se vendimi i Qeverisë kontribuon në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në dhe SHBA-në.

“Pakoja synon sektorin e energjisë, financave, kompleksin ushtarako-industrial, tregtinë dhe zinxhirët e furnizimet me mallra ushtarakë, shërbimet strategjike përfshirë teknologjinë dhe inteligjencën artificiale dhe ndërmerr masa lidhur me kontrollin e lëvizjes së diplomatëve rusë dhe përgjegjësinë për rrëmbimi dhe deportimin e fëmijëve ukrainas. Masat përfshijnë masa ndaj Bjellorusisë”, ka theksuar Konjufca.