LDK dhe Vjosa Osmani: A do të ketë mbështetje për një mandat tjetër presidencial?

Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, thotë se janë të gatshëm të marrin pjesë në konsultimet për zgjedhjen e presidentit, duke mos përjashtuar mundësinë që të dalin me një kandidat të vetin. Derisa kanë mbetur edhe njëmbëdhjetë ditë afat për zgjedhjen e shefit të vendit, ajo thekson se i tërë procesi duhet të bazohet në dialog ndërmjet subjekteve politike dhe jo të shtyhen kandidatura të njëanshme.

Lushaku, në një intervistë për KosovaPress, nuk tregon nëse do t’ia mundësojnë ose jo Vjosa Osmanit edhe një mandat në krye të vendit. Sipas saj, zgjidhja optimale do të ishte arritja e një marrëveshjeje politike për një kandidat konsensual, i cili do të siguronte mbështetje të gjerë në Kuvend.

A do të ketë LDK kandidat të vetin për president?

“Numrat janë të qartë në Kuvend, secili ka fuqinë e vet parlamentare. Partitë politike brenda parlamentit do të duhet të kenë një diskutim për postin e presidentit. Idealja do të ishte që të gjenim një president konsensual dhe ai të kalonte si rezultat i një marrëveshjeje politike që bëhet mes partive politike. Po, në bazë të fuqisë që kemi brenda parlamentit, ne mirëpresim çdo ftesë për të diskutuar për emra. Njëkohësisht, normalisht që kemi edhe ne emrat tanë që mendojmë t’i propozojmë si parti politike, por deri atëherë e presim fazën konsultative dhe pastaj të vendosim për emrat konkretë, se çfarë qëndrimi kemi… Jo, nuk ka pasur. Zyrtarisht as nuk ka, nuk jam e njohur që ka pasur ndonjë diskutim. Ne vërtet presim që konsultimet të jenë zyrtare, me ftesa zyrtare dhe publike dhe s’kemi asgjë për të fshehur. Ne i kemi disa kritere, normalisht që kërkojmë një person që respekton Kushtetutën dhe paraqet siguri për të gjitha grupet parlamentare”, thotë ajo.

Sa i përket mbështetjes eventuale ndaj presidentes aktuale, Vjosa Osmani, ajo ka theksuar se pa pasur kandidatura konkrete në garë, LDK nuk mund të shprehë qëndrim përfundimtar.

Osmani ka shprehur ambiciet për presidente, mirëpo ende nuk ka siguruar tridhjetë nënshkrimet e nevojshme për të zyrtarizuar kandidaturën e saj.

Megjithatë, Lushaku thotë se Osmani gjatë mandatit të saj si presidente, nuk ka pasur rol unifikues në raport me klimën politike.

A do t’ia mundësojë LDK-ja sërish Vjosa Osmanit të bëhet presidente?

Krahas kësaj, Lushaku ka kritikuar mazhorancën se miratuan buxhetin për vitin 2026 “me arrogancë votash”, ndërsa amendamentet e refuzuara, siç ka deklaruar, kishin të bënin me projekte në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Ajo ka shtuar se buxheti nuk përfshin as prioritetet e paralajmëruara nga kryeministri gjatë ekspozesë së tij në Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se dokumenti financiar nuk reflekton as premtimet e bëra dhe as orientimin e kabinetit qeveritar.

Miratimi i buxhetit pa amendamentet e LDK-së: Kishte arrogancë votash

Duke folur për qasjen e LDK-së karshi Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, Lushaku ka theksuar se si parti opozitare do të vazhdojnë të ngrenë çështjet që preokupojnë qytetarët, pavarësisht peshës numerike në Kuvend.

Sipas saj, LDK do të paraqesë argumentet e saj si brenda sallës së Kuvendit, ashtu edhe jashtë saj, përmes mjeteve të ndryshme demokratike.

Çfarë opozite do të bëjë LDK-ja ndaj Kurtit?