Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, sot, përmes një konference për media, ka kërkuar dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që ta ftojë atë në intervistim për të sqaruar deklaratat e saj të fundit në lidhje me arratisjet e të burgosurve nga burgjet e Kosovës.
“Nëse Serbia është prezente në burgjet e Kosovës, çfarë bën Ministrja e Drejtësisë në detyrën e saj? Kjo është pyetja themelore që ngre çdo qytetar sot. Kjo deklaratë ngre çështje serioze të sigurisë kombëtare të vendit dhe nuk mund të mbetet pa u sqaruar”, ka thënë Gruda.
Ai gjithashtu ka kërkuar edhe dorëheqjen e menjëhershme të Ministres Haxhiu.
“Qytetarët e Kosovës nuk meritojnë një Ministre të tillë të Drejtësisë, që përveçse nuk arrin të realizojë asnjë nga premtimet e dhëna, bën deklarime disfatiste që dëmtojnë rendin dhe ligjin në Kosovë”, ka thënë Gruda.
“Pas dështimeve të njëpasnjëshme në të gjitha nismat për drejtësi, në veting, në reformimin e këshillit prokurorial, në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, hartimin e shumë ligjeve në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, dhe së fundmi arratisjet e të burgosurve dhe deklaratat e saj skandaloze, në emër të PDK-së kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Ministres Haxhiu, si një akt të domosdoshëm për të hapur rrugën për kthimin e sigurisë në burgjet e Kosovës dhe për reformat shumë të nevojshme në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, është shprehur tutje Gruda.





Të tjera
Viktor Buzhala aderon në Guxo
Gjestet dhe frazat që kanë më shumë vlerë se një “të dua”
Kryeziu thotë se Osmani ka dalë nga roli i saj dhe është angazhuar për ta mbështetur VV’në