PDK-ja kërkon dorëheqjen e Haxhiut dhe intervistimin e saj nga Prokuroria Speciale

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, sot, përmes një konference për media, ka kërkuar dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që ta ftojë atë në intervistim për të sqaruar deklaratat e saj të fundit në lidhje me arratisjet e të burgosurve nga burgjet e Kosovës.

“Nëse Serbia është prezente në burgjet e Kosovës, çfarë bën Ministrja e Drejtësisë në detyrën e saj? Kjo është pyetja themelore që ngre çdo qytetar sot. Kjo deklaratë ngre çështje serioze të sigurisë kombëtare të vendit dhe nuk mund të mbetet pa u sqaruar”, ka thënë Gruda.

Ai gjithashtu ka kërkuar edhe dorëheqjen e menjëhershme të Ministres Haxhiu.

“Qytetarët e Kosovës nuk meritojnë një Ministre të tillë të Drejtësisë, që përveçse nuk arrin të realizojë asnjë nga premtimet e dhëna, bën deklarime disfatiste që dëmtojnë rendin dhe ligjin në Kosovë”, ka thënë Gruda.

“Pas dështimeve të njëpasnjëshme në të gjitha nismat për drejtësi, në veting, në reformimin e këshillit prokurorial, në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, hartimin e shumë ligjeve në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, dhe së fundmi arratisjet e të burgosurve dhe deklaratat e saj skandaloze, në emër të PDK-së kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Ministres Haxhiu, si një akt të domosdoshëm për të hapur rrugën për kthimin e sigurisë në burgjet e Kosovës dhe për reformat shumë të nevojshme në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, është shprehur tutje Gruda.