Kurti: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur për president

Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur për president

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ka folur për çështjen e Presidentit, duke theksuar se figura e Murat Jasharit do të ishte “zgjidhja e duhur në momentin e duhur”.

Kurti ka theksuar se një figurë e tillë nga familja Jashari do të ishte e pranueshme për të gjithë spektrin politik të vendit.

“Një figurë e tillë, padiskutueshme për të gjithë, sigurisht do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë e profesorit dhe personalitetit si Murat Jashari do të gëzonte mbështetjen e gjithë spektrit politik. Do të ishte nder për Republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombësinë”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se rrethanat gjeopolitike aktuale, përfshirë luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, dhe kërcënimet nga Serbia, kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë që mund të përballet me sfidat e vendit.

“Rrethanat gjeopolitike, nga lufta në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme, dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, përfshirë agresionin terrorist në Banjskë dhe sulmin kinetik në Kanalin e Ibër-Lepencit, kërkojnë një figurë që i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë”, ka shtuar ai.

Kurti gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e një procesi institucional dhe të përgjegjshëm në përzgjedhjen e Presidentit.

Ai ka përmendur angazhimin e filluar nga Qeveria pas formimit të saj, duke pasur parasysh kohën e shkurtër dhe rëndësinë e arritjes së konsensusit politik.

“Pas formimit të qeverisë, kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që kemi në dispozicion, por gjithmonë duke pasur parasysh se përzgjedhja e Presidentit kërkon të duhurat dhe votat. Ka qenë dëshirë e madhe që Lëvizja Vetëvendosje të ketë numrat e nevojshëm për këtë. Për këtë arsye, menjëherë kam vendosur kontakte me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, me qëllim që të diskutojmë për mënyrat e tejkalimit të kësaj sfide në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Takimet kanë qenë konstruktive dhe fillimisht ka qenë e paekspozuar se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese”, ka përfunduar Kurti.