Xhaka rrëfen pse zgjodhi Sunderlandin – Ekonomia Online

Xhaka i lumtur që Sunderlandi realizoi synimin e parë

Sunderlandi e ka realizuar synimin kryesor që e kishtë për këtë edicion të Premier Leagues.

Me fitoren 1:0 në udhëtim ndaj Leeda Unitedit, Sunderlandi arriti në shifrën e 40 pikëve.

Grumbullimi i 40 pikëve ishte synim i fillimit të edicionit. Kjo shifër pikësh besohet se mjafton për të siguruar qëndrimin në Premier League.

Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, ndaj Leedsit luajti prej minutës së 56-të. Ai po kthehet gradualisht pas një lëndimi që e mbajti jashtë fushës për pesë ndeshje.

“Ne kemi folur në fillim të edicionit, synimi ynë ishte 40 pikë.  Kemi bërë 40 pikë dhe tani  duam më shumë pasi uria është e madhe”, ka thënë Xhaka pas ndeshjes të së martës për TNT Sport.

“Ne duhet të qëndrojmë modest. E dimë prej nga jemi. Synimi ishte 40 pikë. Kur e arrin synimin e parë dëshiron më shumë. Uria është prezente. I marrim ndeshjet një nga një dhe të shohim ku do të arrijmë”, ka shtuar Xhaka.

Sunderlandi po përballet me mungesa të rëndësishme, por Xhaka ka lavdëruar ata që fituan rastin.

“Për disa lojtarë nuk ishte e lehtë që nuk kanë luajtur. Por na duhen të gjithë. Nuk mund të kesh vetëm 11 lojtarë. Luke O’Nein, është shembull i rëndësishëm për këta lojtarë. Ai e meriton gjithë respektin që i bëhet. Është legjendë e këtij klubi. Por të gjithë lojtarët shfaqën karakter dhe kjo na duhet”, ka vazhduar Xhaka.

Me 40 pikë, Sunderlandi është stabil në mesin e tabelës, pas xhiros së 29-të të elitës angleze.

Loja e kësaj skuadre është përmirësuar ndjeshëm pasi Xhaka hyri në fushë. Kështu të paktën ka vlerësuar mediumi i fuqishëm, BBC.

“Nuk ishte rastësi që Sunderlandi u përmirësua pas hyrjes së Xhakës. Deri në atë moment nuk ishte skuadra më e mirë në fushë. I kthyer nga një dëmtim së fundi, Xhaka mbeti në stol në fillim të ndeshjes ndaj Leedsit. 33-vjeçari kishte ndikim qetësues, ndërsa skuadra e arriti suksesin e parë në udhëtim që nga tetori. Sunderlandi përballoi edhe 12 minuta të tensionuar të kohës shtesë”, ka shkruar BBC.

Ky medium e ka vlerësuar se Xhaka ka pasur ndikimin më të madh te Sunderlandi prej të gjitha transferimeve, “me përvojën dhe lidershipin e tij”.

Deri në fund të edicionit në Premier League janë edhe plot nëntë xhiro.