Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka deklaruar se ka bërë ngatërresë kur ka thënë se Albin Kurti vendosi t’ia jap Manastirit të Deçanit 24 hektarë për hatër të tij.
Në një përgjigje telefonike për KALLXO.com, ai ka thënë se i është ngatërruar ky rast me rastin e pranimit të kërkesës për vizitën e patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023.
“E vërteta është që, me keqardhje po them, i kam ngatërruar këto dy ngjarje të cilat kanë qenë afër [njëra-tjetrës] dhe tash kanë kaluar tri vjet apo më shumë. Gabimisht kam thënë që lidhet me kthimin e tokës së Deçanit. Gabimisht kam bërë një permutacion duke përdorë fjalët e kryeministrit për vizitën e patriarkut në Kosovë”- tha Rashiq, duke shtuar se i vie keq nëse kjo deklaratë ka krijuar konfuzion por që nuk e ka bërë qëllimisht.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një intervistë për Radio Gorazhdecin ka folur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe vendimet e Qeverisë që prekin komunitetin serb.
Ndër të tjera, ai ka deklaruar se këmbëngulja e tij çoi në zbatimin e vendimit për bartjen e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit, me ç’rast, siç ka shtuar ai, Kurti i kishte thënë se “po e bëj për shkakun tënd”.
“Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Për vite me radhë kam shpjeguar pse ishte e rëndësishme. Në fund, kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd” – deklaroi Rashiq për Radio Gorazhdecin.
Menjëherë pas deklaratës së Rashiqit pati shumë reagime publike.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti (LDK) tha se deklarata e Rashiqit “e zhvesh plotësisht” kryeministrin Albin Kurti nga retorika e tij politike.
“Për vite u fol për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: “Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd.” Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër” – ka shkruar Hoti.
Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh se “Nëse Kurti nuk e demanton, kjo përbën më shumë se tradhti kombëtare”.
Kurse, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, u shpreh se për vite dëgjuam akuza për “tradhti” për tokën e Manastirit të Deçanit.
“Sot ministri Nenad Rashiq tregon se si u mor vendimi: Albin Kurti i kishte thënë, “Do ta bëjmë, por ta dish, për shkakun tënd.” Ajo që dikur përdorej për dramë politike, në pushtet u bë një vendim i thjeshtë. Kaq serioze paska qenë gjithë ajo dramë politike” – ka shkruar Deliu-Kodra.
Arlind Manxhuka, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës më 08.03.2026 ka thënë se Rashiq ka ngatërruar pranimin e kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023.
“Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, vendosjes si kusht nga Këshilli i Evropës, përgjatë procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në vitin 2024 është sqaruar qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për media pas saj, në kohën kur ishte marrë ai vendim.”- ka shkruar Manxhuka.
Më 13 mars 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai ishte shprehur se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës – anëtarësim të cilin Kosova nuk e arriti përkundër këtij vendimi.
Toka, që u regjistrua në pronësi të Manastirit, gjendet rreth këtij manastiri, në kadastër kishte qenë e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.
Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e kishin zbatuar, duke argumentuar se kjo sipërfaqe ishte marrë me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.



Të tjera
Në Katar rikthehet futbolli, a po shpëton Finalissima?
Laporta iu përgjigjet ashpër akuzave të Xavit
Kanë folur zëdhënësi dhe ministri