Kabashi: Osmani s’është dashur ta shpërndajë Kuvendin, s’janë plotësuar kriteret kushtetuese (VIDEO)

Osmani s’është dashur ta shpërndajë Kuvendin, s’janë plotësuar kriteret kushtetuese (VIDEO)

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Ditor Kabashi sonte në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova ka komentuar rolin e Gjykatës Kushtetuese në vend.

Kabashi theksoi se Kushtetuesja në shumë raste ka dhënë zgjidhje, por sipas tij, me disa interpretime ka bërë edhe që të lindin probleme të tjera.

“Unë mendoj që ka dhënë mendime sqaruese, mirëpo jo secili mendim ka qenë njëherësh edhe i qëlluar, këtu duhet ta bëjmë një dallim. Gjykata Kushtetuese në shumë raste ka zgjidhur probleme, mirëpo disa herë, me disa interpretime ka bërë që pastaj të lindin edhe probleme tjera. Megjithatë, unë mendoj që ky nuk është faji i Gjykatës Kushtetuese, por pikërisht i skenës politike”.

Kabashi foli edhe në lidhje me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se ajo nuk është dashur ta shpërndajë Kuvendin.

Ai u shpreh se nuk janë plotësuar kriteret kushtetuese për shpërndarje, përcjell Klankosova.tv.

“Unë mendoj si jurist që zonja Presidente nuk është dashur ta shpërndajë Kuvendin, sepse nuk janë plotësuar kriteret kushtetuese për shpërndarje të Kuvendit”, u shpreh ai.