Bajqinovci: Me qeverinë Kurti, Kosova ka shënuar përparime gjigante

Bajqinovci: Opozitës i kërkuam emra për president mbipartiak, por nuk pati asnjë lëvizje

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci në Politiko tha se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë përpjekje të vazhdueshme për arritjen e marrëveshjeve politike me opozitën, por sipas tij nuk ka pasur gatishmëri nga partitë opozitare për bashkëpunim.

Ai ka thënë se me Partinë Demokratike të Kosovës është diskutuar mundësia që në krye të Kuvendit të vendoset  Vlora Çitaku ose Bedri Hamza, por sipas tij,  kjo parti nuk ka marrë pjesë fare në diskutime.

“Me PDK-në kemi diskutuar që të ketë ndryshime dhe që kryetar i Kuvendit të jetë Vlora Çitaku ose Bedri Hamza, por ata as nuk kanë marrë pjesë fare në diskutim,” ka thënë Bajqinovci.

Ai është ndalur edhe te kërkesa e Vetëvendosjes për çështjen e presidentit, duke thënë se është kërkuar që LDK ose PDK të propozojnë tre emra për një president mbipartiak.

“Edhe pjesën ose kërkesën tjetër të Kurtit, ku thotë se ne po i kërkojmë tre emra që t’i deponojë LDK-ja ose PDK-ja që ta kemi presidentin mbipartiak, të cilin vetë opozita ka thënë që nga fillimi deri në fund,” tha tutje Bajqinovci.

Bajqinovci ka shtuar se nuk ka pasur asnjë lëvizje nga opozita edhe në ditët e fundit të negociatave.

“Ne i kemi pritur edhe dy ditët e fundit. Ata kanë thënë se ne nuk po lejojmë emra të caktuar, ndërsa ne u kemi thënë sillni nënshkrimet dhe kandidatin tuaj dhe ne e votojmë,” ka shtuar ai.

Në fund, ai ka vlerësuar se përgjegjësia për mungesën e marrëveshjes bie mbi opozitën, sipas tij për shkak të mungesës së gatishmërisë për kompromis politik.