Ministri Maqedonci: Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë, për të frenuar ndikimin rus në Ballkan

Raketat kineze të blera nga Serbia janë kërcënim për Ballkanin

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka deklaruar se raketat e reja balistike që Serbia i ka blerë nga Kina janë sulmuese dhe jo mbrojtëse. Sipas tij, ato janë kërcënim për të gjitha vendet e Ballkanit.

Sipas Maqedoncit, nuk është hera e parë që Beogradi kryen blerje të tilla, duke rritur shkallën e militarizimit të vendit.

“Në fakt blerja e këtyre sistemeve nuk është duke bërë vetëm këto kohët e fundit. Serbia në vazhdimësi mund të themi ka bërë blerje nga Rusia e nga Kina, por edhe nga vende të tjera. Ne kemi informacion që ka bërë blerje që disa vite të raketave të ndryshme nga Kina”, tha ministri Maqedonci në një intervistë për televizionin me seli në Tiranë ‘A2 CNN’.

“Këto raketat e fundit e kanë natyrën e raketave që janë të dizajnuara për sulme dhe duke qenë të tilla paraqesin kërcënim jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për gjithë rajonin e Ballkanit. Kjo po tregon edhe më tej qasjen hegjemoniste të Serbisë dhe tentativën për të dominuar në aspektin ushtarak, ekonomik, por në aspekte të tjera në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Maqedonci.

Sipas tij, kjo hedh poshtë pretendimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, se po tenton të mbrohet nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia. “Arsyetimet që bëhen nga krerët e shtetit në Serbi, se këto furnizime po bëhen për shkak që siç thonë ata po ndihen të kërcënuar nga marrëveshja trilaterale mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nuk qëndrojnë sepse këto blerje nuk janë duke u bërë vetëm prej periudhës kur e kemi bërë nënshkrimin e marrëveshjes trilaterale, por janë bërë edhe më herët”, tha Maqedonci.

Ai tutje tha se duke bërë këto blerje nga vendet që nuk janë të NATO-s dhe në anën tjetër duke promovuar politika hegjemoniste në raport me fqinjtë, ku kombinohet blerja e raketave të tilla me qasjen politike të Serbisë në raport me fqinjët, atëherë kjo duhet të shihet si kërcënim për krejt regjionin.

“Është me rëndësi që NATO ta marrë seriozisht jo vetëm këtë blerje por krejt militarizimin e Serbisë dhe të diskutojë seriozisht për këtë çështje”, nënvizoi Maqedonci.