Pas largimit, Guardiola zbulon gabimin më të madh që bëri te Man City – Ekonomia Online

Pas largimit, Guardiola zbulon gabimin më të madh që bëri te Man City

Pep Guardiola ka zbuluar se pendimi më i madh gjatë dekadës së tij te Manchester City ishte lejimi i largimit të portierit Joe Hart.

“Nëse merr shumë vendime, shumë e shumë vendime, padyshim që bën edhe gabime”, deklaroi Guardiola për Sky Sports në një intervistë, para ndeshjes së tij të fundit në Premier League ndaj Aston Villas.

“Ka një pendim që e mbaj thellë brenda meje prej shumë vitesh: nuk i dhashë Joe Hartit një mundësi për të qenë me mua dhe për të dëshmuar sa portier i mirë ishte. Mund të kisha thënë: ‘Në rregull Joe, le ta provojmë së bashku. Nëse nuk funksionon, atëherë do të ndryshojmë.’ Por kështu ndodhi.”

“Duhet të marr vendime dhe ndonjëherë nuk jam mjaftueshëm i drejtë. Ndoshta me kohën dhe përvojën mëson… por e kam pendim që nga ajo kohë”, shtoi trajneri spanjoll.

Pas marrjes së drejtimit të Cityt në vitin 2016, Guardiola e dërgoi portierin anglez fillimisht në huazim te Torino dhe më pas te West Ham. Hart u largua përfundimisht nga Manchester City në vitin 2018, pas 348 paraqitjeve gjatë 12 viteve me klubin.

Më vonë, ai pati një periudhë të shkurtër edhe te Tottenham Hotspur, përpara se ta mbyllte karrierën te Celtic.

Guardiola, i cili fitoi gjashtë tituj të Premier League, Champions League dhe Kupën e Botës për Klube me Manchester Cityn, pranoi se pjesa më e vështirë e punës si trajner ishte menaxhimi i emocioneve njerëzore.

“Nëse kam dështuar në këtë aspekt, kërkoj falje, por kurrë nuk ka qenë qëllimi im apo i klubit”, përfundoi 55-vjeçari.