Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është shfaqur optimist lidhur me të ardhmen e trajnerit Hansi Flick dhe ka siguruar se vazhdimi i kontratës është çështje e afërt për t’u zyrtarizuar.
Në një intervistë të fundit dhënë për stacionet lokale spanjolle, Laporta konfirmoi se klubi është në fazë përfundimtare të bisedimeve me Flick dhe se objektivi është që marrëveshja të publikohet shumë shpejt, përcjell “Gazeta Express”.
“Ne duam ta zgjasim kontratën deri në vitin 2028”, tha Laporta, duke nënvizuar se trajneri gjerman ndihet shumë komod në klub dhe është i lumtur me projektin në Barcelonë.
Presidenti gjithashtu theksoi se vazhdimi është dakorduar tashmë mes Flick, drejtorit sportiv Deco dhe zëvendëspresidentit Rafa Yuste, dhe se qëllimi është stabiliteti afatgjatë i projektit sportiv.
“Do ta njoftojmë këtë marrëveshje së shpejti”, deklaroi ai, duke sqaruar se trajneri ka dëshirë të vazhdojë në bankinën katalunase.
Flick, i cili e ka udhëhequr ekipin që kur u emërua trajner në maj 2024, ka arritur rezultate të rëndësishme, duke e rivendosur konkurrencën e Barcelonës në Spanjë dhe duke e rikthyer skuadrën në garat për tituj.
Kontrata aktuale e tij skadon në vitin 2027, por duket se palët janë shumë afër një zgjatjeje që do ta lidhë atë me klubin edhe për dy sezone të tjera pas këtij aktual.
Kjo lëvizje vjen në një moment kyç për klubin, pas rizgjedhjes së Laportës si president, një fitore që i ka dhënë stabilitet projektit sportiv dhe e ka forcuar marrëdhënien mes drejtimit dhe stolit teknik.



Të tjera
Shenjat që tregojnë se dikush është xheloz për jetën tënde
PSG refuzon ta shesë Kvaratskhelia, por Arsenali ka plane më të mëdha për sulm
10 gabimet që bëni kur debatoni me partnerin