Dëshmi të reja për ‘Sarajevo Safari’: Si përzgjidheshin “klientët”, fëmijët si objektiva, si funksiononte rrjeti

Si përzgjidheshin “klientët”, fëmijët si objektiva, si funksiononte rrjeti

Dëshmi tronditëse për përfshirjen e shtetasve italianë në vrasje të civilëve gjatë luftës në Bosnje janë bërë publike në një libër të ri investigativ nga Ezio Gavazzeni.

Libri me titull “I cecchini del weekend” (Snajperistët e fundjavës), i publikuar së fundmi në Itali, hedh dritë mbi një rrjet të dyshuar që organizonte udhëtime për italianë të pasur drejt Bosnjës, ku ata i bashkoheshin forcave serbe për të qëlluar civilë gjatë rrethimit të Sarajevo.

Sipas raportimeve, tre persona janë aktualisht nën hetim nga prokuroria në Milano për vrasje të kryera gjatë luftës. Hetimi po udhëhiqet nga prokurori Alessandro Gobbis.

Gjetjet e librit janë dorëzuar tashmë tek autoritetet dhe po përdoren si bazë për hetimet në vijim.

Sipas dëshmisë së një burimi të njohur si “Francuzi”, rekrutimi i italianëve bëhej përmes një agjencie në Milano, e specializuar në shërbime sigurie dhe me lidhje në të gjithë Evropën.

Udhëtimet organizoheshin kryesisht gjatë fundjavave, ndërsa pjesëmarrësit paguanin shuma të mëdha parash për të marrë pjesë në këto “eksperienca”.

Një nga detajet më tronditëse lidhet me mënyrën se si pjesëmarrësit mbanin “trofe”. Sipas dëshmitarit, snajperistët italianë ktheheshin me gëzhoja plumbash të ngjyrosura sipas viktimave që kishin vrarë.

Ngjyrat përfaqësonin kategori të ndryshme: fëmijë, gra, burra apo të moshuar – një praktikë makabre që tregon brutalitetin e këtyre akteve.

Sipas dëshmive, pjesëmarrësit ishin kryesisht individë me të ardhura të larta – përfshirë biznesmenë dhe profesionistë si mjekë.

Një sipërmarrës i njohur thuhet se ka paguar deri në 340 mijë lira për një “fundjavë”, ndërsa personat që organizonin dhe shoqëronin këto udhëtime – të quajtur “ekzekutues” – paguheshin deri në 4 milionë lira për çdo mision.

Hetimet kanë çuar edhe në qytete të tjera si Parma dhe Trieste, ku dyshohet se janë përdorur pika logjistike për organizimin e udhëtimeve.

Disa burime përmendin edhe lidhje të mundshme me trafik droge në Ballkan, si dhe përdorimin e automjeteve të maskuara si mjete humanitare për të kaluar kufijtë pa u zbuluar.

Pjesëmarrja në këto “safari” bëhej vetëm me ftesë dhe përmes rrjeteve të mbyllura. Komunikimi zhvillohej përmes kodeve dhe pajisjeve të sigurta.

Një nga mesazhet që sinjalizonte nisjen e udhëtimit ishte: “Ka drerë për gjuetarët” – ku “drerët” ishin civilët dhe “gjuetarët” snajperistët.

Sipas dëshmive, “klientët” kishin deri në gjashtë orë kohë për të qëlluar pasi mbërrinin në pozicionet e tyre.

Objektivat më të kërkuara ishin fëmijët dhe vajzat e reja – një fakt që e bën këtë histori edhe më të rëndë dhe tronditëse. /Vijesti