“Prokuroria vepron pas vrasjes në Gjakovë: kërkohet paraburgim për të dyshuarin”

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj Nexhdet Zymberajt, i dyshuari për vrasjen e Rasim Binakajt.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, “ceket se me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, Rr.’Vëllezërit Frashëri’, saktësisht në lokalin ‘M.P.’ i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E.M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë me të dëmtuarin E.M., dhe persona të tjerë, në vendin e ngjarjes respektivisht në lokalin e lartcekur shkon tani i ndjeri dhe pas një mosmarrëveshje i pandehuri me armën – pistoletë e llojit TT me kalibër 7.62×25 mm, shtënë disa herë në drejtim tani të ndjerit R.B., e që si pasojë e të shtënave në pjesë të ndryshme të trupit të tij, i njëjti ndërron jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”.

Në kërkesë po ashtu theksohet se si pasojë e të shtënave me armë i pandehuri rrezikoi jetën e personave të tjerë, “ku i dëmtuari E.M., pëson lëndime trupore dhe dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes”.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Nexhdet Zymberaj që nga data 16 mars 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartcekur.