“Serbia armatoset me raketa kineze – paralajmërohet destabilizim në Ballkan”

Serbia bleu raketa balistike supersonike nga Kina, konfirmoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Kroacia fqinje kërkoi reagim nga aleanca e NATO-s.

Ky zhvillim, nxiti reagime të mëdha, derisa edhe Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se raketat balistike që Serbia ka blerë nga Kina kanë karakter sulmues dhe përbëjnë kërcënim jo vetëm për Kosovë, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit.

E në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili tha se bashkëpunimi Serbi-Kinë dhe blerja e raketave në fjalë, mund të ndikojë në stabilitetin rajonal.

Për këtë, ai vlerëson se Beogradi përmes rritjes së kapacitetit mbrojtës, po synon ta rrisë peshën e saj gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Krahas kësaj, Dashevci kërkoi reagim institucional dhe ndërkombëtarë për këto veprime të Serbisë, e cila në vazhdimësi ka provokuar tensione në Ballkan.

“Nga perspektiva liberale, kjo lëvizje kërkon reagim diplomatik dhe institucional, jo vetëm paralajmërime ushtarake…, është një mundësi për të inkurajuar dialog dhe mekanizma bashkëpunimi që shmangin tensionet dhe armëtimin konkurrues. Nga ana konstruktiviste, veprimet e Serbisë reflektojnë një imazh të ndërgjegjshëm dhe identitet të fuqishëm, duke treguar përpjekjen për të afirmuar pavarësinë strategjike dhe rolin e saj si aktor sovran në një rajon historikisht të ndikuar nga tensionet dhe konfliktet”, shtjelloi eksperti i sigurisë.

Në fund, ai e komentoi edhe aspektin e sigurisë rajonale dhe efektin që mund të nxisë ky furnizim raketor.

Sipas tij, rrezikun i destabilizimit është i qartë dhe për këtë është i nevojshëm reagimi ndërkombëtar, jo vetëm simbolik, por edhe agresivë dhe të jetë në gatishmëri për skenarë të ndryshëm.