Gërvalla: Së shpejti në Qeveri e Kuvend pakoja për Reformën në Drejtësi

Së shpejti në Qeveri e Kuvend pakoja për Reformën në Drejtësi

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se së shpejti do të procedohen për miratim në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës gjashtë projektligjet që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, në kuadër të reformës në drejtësi.

Ajo i bëri këto deklarata në përmbyllje të punëtorisë treditore për diskutimin dhe finalizimin e pakos së projektligjeve, proces që, sipas saj, përbën një nga reformat më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në vend.

Gërvalla tha se finalizimi i kësaj etape do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, me fokus te qytetari, integriteti dhe profesionalizmi i institucioneve të drejtësisë, si dhe në luftimin e pandëshkueshmërisë.

“Finalizimi i kësaj etape të reformës do të ndikojë në mënyrë thelbësore në forcimin e palëkundur të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, që ka në epiqendër qasjen në drejtësi për qytetarin dhe integritetin e profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të praktikave negative të pandëshkueshmërisë”, tha Gërvalla.

Ajo theksoi se përmes këtyre akteve ligjore do të adresohen për herë të parë disa çështje kyçe që lidhen me përgjegjësinë dhe performancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Rrjedhimisht, përmes këtyre akteve, për herë të parë adresohet çështja e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për mungesë pune dhe profesionalizmi, kategorizohen dhe saktësohen shkeljet disiplinore dhe, po ashtu, për herë të parë rregullohet me ligj vlerësimi i performancës së tyre”, u shpreh ministrja Gërvalla.

Tutje, ajo tha se kjo nismë, e nisur në vitin 2023, ka rezultuar me përgatitjen e gjashtë projektligjeve që lidhen me kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësimin e performancës, sistemin disiplinor, kontrollin e pasurisë, si dhe Akademinë e Drejtësisë dhe administratën e gjykatave dhe prokurorive.

Në fund, Gërvalla shprehu përkushtimin për finalizimin dhe zbatimin e kësaj reforme, me synimin për të garantuar një sistem drejtësie me standarde të reja profesionale, në shërbim të qytetarëve.