Deputetë të pozitës dhe opozitës kanë votuar pro buxhetit të Zubin Potokut dhe të disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Komisioni për Buxhet ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë “projekti i rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë”, ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës. Po ashtu, ka miratuar edhe marrëveshjen e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.
Gjatë shqyrtimit të buxhetit për Komunën e Zubin Potokut, ministri i Financave, Hekuran Murati ka rekomanduar që të miratohet duke thënë se vlera e buxhetit është 3.6 milionë euro.
“Meqë kemi të bëjmë me buxhetin e një komune, e cila megjithatë ka miratuar buxhetin brenda kufijve që janë përcaktuar dhe ka respektuar dispozitat tjera të ligjit në fuqi, përveç shkeljes së afatit që ka ndodhur në këtë rast, edhe rekomandimi i Ministrisë së Financave është që të miratohet nga kuvendi buxheti i Komunës së Zubin Potokut në mënyrë që të mos paraqiten probleme gjatë rrugës sa i përket planifikimit dhe mirë shpenzimit të buxhetit. Në tërësi buxheti është rreth 3.6 milionë euro, ndërkaq sa i përket përmbajtjes Ministria e Financave nuk ka të drejtë që të ndryshojë madje as komisioni këtu, sepse duhet të qëndrohet brenda kufijve, vetëm të procedohet për miratim apo jo nga kuvendi.
Me shtatë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar buxheti i Komunës së Zubin Potokut.
Paraprakisht, kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës që buxheti i kësaj komune të pasqyrohet në tabelat buxhetore.
“Komisioni për Buxhet në bazë të nenit 29 të rregullores së kuvendit në mbledhjen e mbajtur më 27 mars 2026 shqyrtoi buxhetin për komunën e Zubin Potokut për vitin 2026 dhe Kuvendit të Kosovës ja paraqet këtë rekomandim: Buxheti i komunës së Zubin Potokut për vitin 2026 i miratuar nga Kuvendi Komunal i Zubin Potokut të miratuar më 18 shkurt 2026 të pasqyrohet në tabelat buxhetore të ligjit numër 10L001 për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026”, shtoi ai.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet, është shqyrtuar edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë “projekti i rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë” (kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se ky projekt synon të lidh kryeqytetin me qytetet e Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
“Ky projekt do të zbatohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit si ministri e linjës në bashkëpunim me njësinë implementuese të projektit. Qëllimi i këtij projekti është që të lidh kryeqytetin me qytetet e Vushtrrisë dhe Mitrovicës. Deri më tani, deri në Smrekonicë pjesa e segmentit është përfunduar. Ndërkaq, pjesa e mbetur do të parashihet që të përfundohet apo të kompletohet përmes këtij financimi. Punët që do të financohen janë seksioni Smrekonicë-Mitrovicë që ka një gjatësi prej pesë kilometra, ku ndërtimi i dy korsive të emergjencës si dhe ndërtimi i katër kryqëzimeve janë të parapara të mbulohen përgjatë këtij segmenti. Vlera totale e financimit është në shifrën prej 53 milionë rial saudit, apo e konvertuar në rreth 13 milionë euro, ndërkaq pjesa tjetër pra 3.7 milionë euro parashihet të jetë kontribut apo financim nga Qeveria e Kosovës”, tha Murati.
Edhe kjo pikë ka marrë mbështetjen e anëtarëve të komisionit, ku është votuar për nga shtatë deputetë të pozitës dhe opozitës.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe një marrëveshje tjetër ndërkombëtare, e cila ka të bëjë me investimet në ndërmarrjen publike “KEK” me energji solare.
“Më saktësisht është shtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese të ripërtërishme të energjisë të ripërtërishme, konkretisht 100 megavat kapacitet shtesë fotovoltaik apo energji solare që konvertohet në energji elektrike, e cila parasheh që të gjenerojë rreth 152 gigavat orë kapacitet prodhues në vit, si dhe në investim parashihet edhe infrastruktura përkatëse, duke përfshirë rrugët hyrëse, kabllët në terren, transformatorë për linjën si dhe linjë kabllore nëntokësore me nënstacionin ekzistues të termocentralit Kosova A. Kjo kredi nga Banka Evropiane për Investime kap vlerën prej 33 milionë eurosh dhe është njëra komponentë e financimit në kuadër të projektit i cili në tërësi parashihet të kap vlerën prej 104 milionë eurosh”, përfundoi ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka shprehur skepticizëm për realizimin e këtij projekti.
“Në parim jemi për, kemi diskutuar edhe më herët realisht për këtë projekt dhe kemi qenë në disa pikëpyetje se sa do të jetë i realizueshëm në kuptimin që është afër Obiliqit dhe tymi ka pengesa. E di që edhe ju si ministri keni këto shqetësime. Unë dua të ripotencojë që realisht do të ketë vështirësi në këtë aspekt, uroj që të realizohet sa më mirë sepse Kosova ka nevojë për energji solare apo për energji alternative”, u shpreh ai.
Komisioni për Buxhet ka rekomanduar miratimin e kësaj marrëveshje, ku është përkrahur nga shtatë deputetë.



Të tjera
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Kombëtarja e Kosovës ngritët në renditjen e FIFA-s pas fitores historike ndaj Sllovakisë
10 gjërat që duhet ditur për Hepatitin