Batalioni “Tigrat” i Brigadës së Mekanizuar të Gardës kroate ka përfunduar me sukses vlerësimin final 72-orësh në poligonin “Eugen Kvaternik” pranë Slunjit, duke konfirmuar nivel të lartë gatishmërie për dislokim në operacionin e NATO-s, KFOR në Kosovë, në mes të majit.
Bëhet fjalë për stërvitjen “Tigri 26”, hapi i fundit dhe kyç para dërgimit në misionin ndërkombëtar të paqes. Gjatë tre ditëve dhe dy netëve pa ndërprerje, pjesëtarët u përballën me skenarë shumë kërkues që simulojnë kërcënime reale në terren, raporton portali kroat “Narodno”, transmeton Klankosova.tv.
Siç raportohet, në këtë stërvitje janë testuar reagimet ndaj sulmeve mbi bazën, mjeteve shpërthyese të improvizuara, si dhe situatave komplekse të sigurisë, përfshirë kontrabandën e njerëzve, drogës dhe armëve. Theks i veçantë iu dha kontrollit të protestave dhe menaxhimit të incidenteve, pjesë kyçe e operacioneve paqeruajtëse.
Drejtori i stërvitjes, majori Niksha Bosançiq, theksoi se brigada ka një sistem të plotë trajnimi dhe personel të aftë për të udhëhequr edhe operacionet më të ndërlikuara.
Në vlerësim morën pjesë edhe ekipe me përvojë nga misionet ndërkombëtare, duke siguruar një vlerësim realist të gatishmërisë.
Skenarët ishin qëllimisht më të vështirë se kushtet reale, në mënyrë që ushtarët të reagojnë më shpejt dhe më sigurt në operacion. Përveç qëndrueshmërisë fizike, u testua edhe rezistenca psikike, sidomos përmes mungesës së gjumit dhe presionit të vazhdueshëm.
Përvojën nga terreni e konfirmoi edhe rreshterja Adela Zhliçariq, e cila theksoi se sfida më e madhe është lodhja, por edhe përgjegjësia shtesë si udhëheqëse ekipi në mision.
Me përfundimin e kësaj stërvitjeje, “Narodno” thotë se “Tigrat” konfirmuan nivel të lartë ndërveprueshmërie dhe gatishmërie për veprim në mjedis ndërkombëtar.
“Stërvitje të tilla tregojnë se ushtria kroate ruan një nivel të lartë gatishmërie operative dhe besueshmërie brenda NATO-s. Pjesëmarrja në KFOR nuk është vetëm detyrim sigurie, por edhe mesazh politik për rolin e Kroacisë në misionet ndërkombëtare”.
“Për Kroacinë kjo nënkupton rritje të kredibilitetit ndërkombëtar dhe investim të vazhdueshëm në ushtri si element kyç i sigurisë kombëtare”, ka shkruar portali kroat.



Të tjera
Qeveria miraton disa projektligje
Dorëzohet në polici Fazli Ndrecaj, i kërkuar për 500kg dr*ogë
Smothie me karrota për mëngjes