Kryeministri Albin Kurti ka hapur mbledhjen e Qeverisë duke njoftuar kabinetin e tij për takimin që ka pasur me presidentin francez, Emmanuel Macron, nw Pallatin Elysee në Paris, takim që tha se zgjati rreth dy orë.
Kreu i Qeverisë tha se me shefin e shtetit francez patën bisedë të thellë e të sinqertë, të përqendruar në tema të bashkëpunimit e integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes.
“Pasditen e së premtes isha mysafir i presidentit të Francës në një takim dhe një drekë pune në pallatin Elysee. Pritja e përzemërt u përcoll me një diskutim të thellë e të sinqertë rreth dy orë që u përqendrua në tema të bashkëpunimit e të integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe të ekonomisë e zhvillimit”, tha Kurti para kabinetit të tij.
Shefi i Qeverisë, gjithashtu tha se me presidentin Macron biseduan për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE e në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Pastaj për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veriatlantik dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, tha Kurti.
Tutje kryeqeveritari, në mbledhje të ekzekutivit tha se në këtë takim rreth dyorësh me presidentin e Francës, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior ishin çështje të cilat në kontekst të sigurisë së vendit i diskutuan bashkë.
Kurse në konferencë për media, Kurti tha se fillimisht duhet të hiqet letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të nënshkruhen marrëveshja bazike e Brukselit dhe ajo e Ohrit.
“Për dialogun në Bruksel ne kemi diskutuar në veçanti në kuptim të zbatimit të marrëveshjeve të cilat kërkojnë mirëbesim, dhe kërkojnë siguri juridike, e që vjen nga nënshkrimi i marrëveshjes, e që vjen nga tërheqja e letrës së zonjës Bërnabiq kur ajo ishte kryeministër, dhe e cila me datën 13 dhjetor 2023 merrni me mend, 27-ësh së Bashkimit Evropian i tha që Serbia nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës. Si mund të bëjmë ne dialog, si mund të kemi mirëbesim, kur dikush thotë publikisht me letër të shkruar, që nuk e respekton integritetin territorial? Ajo letër duhet të hiqet, marrëveshja bazike e Brukselit me Ankesin e zbatimit të Ohrit duhet të nënshkruhet, dhe të mos harrojmë që këtë gjë unë e them në çdo takim me ndërkombëtarët, kryeterroristi Milan Radoiçiq duhet të i dorëzohet organeve të sigurisë e drejtësisë në Kosovë”, theksoi Kurti.



Të tjera
Gati 200 mln euro për dy mesfushorë
Izraeli dhe SHBA-ja po përgatiten për dështim të mundshëm të bisedimeve me Iranin
Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Pallatit të Rinisë”, keqpërdoren 137 mijë euro