Izraeli dhe SHBA-ja po përgatiten për dështim të mundshëm të bisedimeve me Iranin

Izraeli dhe SHBA-ja po përgatiten për dështim të mundshëm të bisedimeve me Iranin

Izraeli dhe SHBA-ja po përgatiten për mundësinë që negociatat e vazhdueshme me Iranin të dështojnë, duke intensifikuar bashkëpunimin ushtarak në ditët e fundit, raportoi media izraelite të dielën, transmeton Anadolu.

Kanali 12 raportoi se SHBA-ja ka përforcuar praninë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme për të rritur parandalimin ose për të hedhur themelet për operacione të mundshme ushtarake në të ardhmen.

Kontaktet e nivelit të lartë midis zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë janë rritur, me qëllim forcimin e koordinimit ushtarak në rast se negociatat nuk sjellin marrëveshje, thuhet në lajm.

Përforcimi ushtarak amerikan në rajon po interpretohet në Izrael si përpjekje për të krijuar “imazh fitoreje” kundër Iranit ose përgatitje për një seri operacionesh të planifikuara ushtarake që mund të riformësojnë ekuilibrin rajonal të pushtetit, sipas lajmit.

Gjithashtu pretendohet se ekzistojnë mosmarrëveshje midis SHBA-së dhe Izraelit mbi sulmet e mundshme ndaj infrastrukturës iraniane, me Izraelin që mbështet një veprim të tillë ndërsa Washingtoni është kundër. Zyrtarë të lartë izraelitë u cituan të kenë thënë se ka një divergjencë midis Tel Avivit dhe Washingtonit në lidhje me natyrën e sulmeve të mundshme.

Ndërkohë thuhet se Irani vë në dyshim sinqeritetin e SHBA-së në negociata dhe nuk i beson Washingtonit duke thënë se Teherani ende nuk i është përgjigjur kërkesave të SHBA-së për këtë arsye. Ai pretendon se Irani po kërkon të përfshijë vendet e Gjirit si dhe Rusinë dhe Kinën në këtë proces.

Përshkallëzimi rajonal ka vazhduar që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën ofensivë kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.340 njerëz deri më sot, përfshirë ish-udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei.

Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa ka prishur tregjet globale dhe aviacionin.