Gërvalla: Qasja jonë ndaj korrupsionit nuk njeh tolerancë

Qasja jonë ndaj korrupsionit nuk njeh tolerancë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se qasja e institucioneve ndaj korrupsionit është e pakompromis, duke theksuar se parandalimi dhe luftimi i tij mbeten zotim i përditshëm, përcjell KosovaPost.

Në një deklaratë të publikuar në Facebook, ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës ka vizituar Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ku me drejtorin Yll Buleshkaj dhe ekipin e tij ka diskutuar mënyrat për të forcuar transparencën, integritetin dhe llogaridhënien në institucionet publike.

“Qasja jonë ndaj korrupsionit nuk njeh tolerancë. Parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij, në të gjitha format e tij, është zotim i yni i çdoditshëm, absolut dhe i pakompromis”, ka deklaruar Gërvalla.

Sipas saj, çdo mekanizëm parandalues dhe çdo hap ligjor që ndërmerret ka një qëllim të qartë, parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe llogaridhënie për abuzuesit.

Gërvalla ka thënë se zbatimi i rreptë, me guxim e vendosmëri i legjislacionit, mbetet çelësi për një sistem publik të fortë dhe me llogaridhënie.

Në deklaratën e saj, ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit është folur edhe për mundësinë e avancimit të kornizës ligjore, normimin e standardizuar dhe profesional të konfliktit të interesit, si dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar, përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në iniciativa ndërkombëtare kundër korrupsionit.

Gërvalla ka theksuar se nënshkrimi dhe ratifikimi i Traktatit Rajonal për Shkëmbimin e të Dhënave, njëra ndër temat e diskutimit, do të mundësojë verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë jashtë vendit, duke rritur transparencën dhe përgjegjësinë në nivel ndërkufitar.

Ajo ka shtuar se Ministria e Drejtësisë bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet që janë pjesë e reformës në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, dhe se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej.

“Si Ministre e Drejtësisë, mbetem e vendosur që parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij në çdo formë të shfaqjes së tij të jetë i pakompromis”, ka deklaruar Gërvalla.

Në fund, ajo ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të kenë institucione të besueshme, transparente dhe të forta, që nuk i tolerojnë shkeljet e ligjit dhe shkelësit, si dhe një shtet ku sundimi i ligjit nuk është vetëm parim, por praktikë e përditshme.