Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, priti sot në takim ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit bilateral në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Sipas njoftimit nga kjo ministri, gjatë takimit, ministri Muja shprehu gatishmërinë e plotë për të avancuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë, duke theksuar se bashkërendimi i politikave dhe projekteve të përbashkëta është kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agro-ushqimor në të dy vendet.
Në fokus të diskutimeve ishin lehtësimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve dhe reduktimi i barrierave administrative, si dhe mbështetja e eksporteve dhe qasja në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, u diskutua edhe për tema të tjera në fushën e promovimit të përbashkët.
“Palët diskutuan gjithashtu për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit me donatorë ndërkombëtarë, me qëllim rritjen e investimeve dhe zhvillimin e kapaciteteve në sektorin bujqësor”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të sigurisë ushqimore, u theksua rëndësia e forcimit të rolit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), si dhe nevoja për njohjen dhe unifikimin e certifikatave dhe procedurave ndërmjet dy vendeve. Po ashtu, u diskutua identifikimi i laboratorëve dhe metodave për akreditim reciprok, si dhe shkëmbimi i informatave për nevojat e akreditimit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).
“Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe shërbimeve këshillimore në bujqësi, përmes Qendrave për Transfer të Teknologjisë Bujqësore (QTTB), si dhe avancimit të digjitalizimit dhe inovacionit në sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se në përfundim të takimit, të dy ministrat u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit dhe konkretizimin e iniciativave të përbashkëta në periudhën në vijim, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes së fermerëve në të dy vendet.



Të tjera
Ja ç’na bën të e duam një person
Kapen mallra të kontrabanduara nga Serbia
Njoftim nga KEDS për punimet në rrjet për datat 4 – 8 prill