Qeveria miraton Projektligjin për Sigurimet Shëndetësore

Qeveria miraton Projektligjin për Sigurimet Shëndetësore

Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Kryeministri, Albin Kurti tha se e risollën në ekzekutiv për miratim një nga projektligjet që ishte sfiduar në Kushtetuese nga opozita kohë më parë.

“Synimi ynë për të investuar në shërbime shëndetësore dhe për të garantuar sigurim publik shëndetësor me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës do të konkretizohet me miratimin e Projektligjit  për Sigurim Shëndetësor. Përmes tij, synojmë që njerëzit në nevojë të kenë mbrojtje më të mirë sociale duke ndikuar në uljen e varfërisë e pabarazive”, tha kryeministri.

Sipas tij, ky projektligj krijon edhe një mekanizëm të drejt solidariteti shoqëror,  ku thotë se secili  kontribuon sipas mundësisë e përfiton sipas nevojës.

“Duke e bërë sistemin më  gjithëpërfshirës e më të drejt, vendos themelet për një financim të qëndrueshëm të shëndetësisë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit shëndetësor dhe përmirësimit të standardeve të trajtimit. Kjo reformë e bën shtetin më të fortë në përmbushjen e detyrimit themelor, mbrojtjen e jetës dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Ministri, Arben Vitia tha se kjo është një nga iniciativat më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë.

“Ky projektligj vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh. Janë analizuar me kujdes sfidat dhe mangësitë që ka sistemi ynë shëndetësor, janë studiuar edhe praktikat ndërkombëtare për të krijuar një ligj që i përgjigjet nevojave të qytetarëve tanë e që është i zbatueshëm për realitetin tonë ekonomik, por edhe social. Pas mbi 10 vite përpjekjesh, projektligji përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës të sigurimeve shëndetësore”, tha ministri Vitia, gjatë prezantimit të tij në mbledhjen e Qeverisë.