Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se sot kanë marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të betonimit të shtretërve të lumenjve në gjithë Kosovën, duke i dhënë fund një praktike të vjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme.
“Fondet publike nuk duhet të dëmtojnë mjedisin e as të rrisin rrezikun nga vërshimet. Sot kemi nxjerrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të betonimit të shtretërve të lumenjve në gjithë Kosovën, duke i dhënë fund një praktike të vjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme. Kjo praktikë jo vetëm që ka shkatërruar ekosistemet tona, por ka rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytjen e vendbanimeve dhe tokave tona. Betoni nuk është as siguri e as pastërti. Përkundrazi, ai e kthen lumin në një “pistë” ku uji merr shpejtësi marramendëse, duke u kthyer në një kërcënim serioz për pronat e qytetarëve. Duke e lënë shtratin e lumit natyral, ne lejojmë tokën të “marrë frymë” dhe të thithë ujin, duke krijuar një mbrojtje natyrore e të qëndrueshme kundër vërshimeve”, ka thënë Pacolli.
Sipas Pacollit ky ndalim nuk cenon kontratat ekzistuese, por kërkon përshtatjen e tyre teknike me standardet mjedisore.
“Duhet të garantojmë që mjetet publike të shpenzohen vetëm në projekte që mbrojnë natyrën dhe rrisin sigurinë e jetës. Ky është zotimi ynë për të ardhmen. Po mbyllim kapitullin e betonit të ftohtë për të hapur epokën e restaurimit të jetës. Lumenjtë e Kosovës do të jenë sërish pasuri e gjallë dhe krenari për gjeneratat që vijnë. T’i lëmë lumenjtë të rrjedhin lirshëm, ashtu siç i ka falur natyra!”, ka thënë Pacolli



Të tjera
Gjërat që nuk duhet t’i bëni para se të flini
Kastrati Group ndez atmosferën në Pejë
Italia dëbon dy diplomatë rusë të akuzuar për spiunazh