Italia njoftoi sot dëbimin e dy agjentëve të shërbimeve sekrete ruse, të cilët ndodheshin në vend me status diplomatik.
Qeveria italiane e cilësoi rastin si një “ndërhyrje të rëndë dhe të papranueshme”, vetëm dy ditë pasi u arrestuan dy ish-agjentë italianë të zbulimit të dyshuar për bashkëpunim me Moskën.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, bëri të ditur në rrjetin X se qeveria ka vendosur të dëbojë dy atashe ushtarakë të Ambasadës së Federatës Ruse në Itali, pasi hetimet e Prokurorisë së Romës zbuluan përfshirjen e tyre në veprimtari spiunazhi.
Sipas Tajanit, Ministria e Jashtme i ka komunikuar ambasadorit rus në Romë se Ivan Petrovich Gorbachev dhe Mikhail Vasilyevich Astakhov duhet të largohen nga Italia brenda tre ditësh.
Vendimi vjen pas arrestimit të dy ish-zyrtarëve italian të zbulimit, të cilët akuzohen se i kanë dorëzuar Rusisë informacione të ndjeshme, përfshirë të dhëna mbi ndihmën ushtarake që Italia dhe aleatët po i ofrojnë Ukrainës.
Sipas gazetave italiane “La Repubblica” dhe “Il Messaggero”, të paktën njëri prej agjentëve rusë kishte siguruar, në këmbim të parave, informacione mbi sistemin franko-italian të mbrojtjes ajrore SAMP/T, të cilin Ukraina pritet ta marrë këtë vit për testim, si edhe mbi raketat frankotaliane Aster, që tashmë janë dorëzuar në Kiev.
Raportimet shtojnë se interesi i agjentit rus shtrihej edhe te misioni i NATO-s në Bullgari dhe kompania italiane ”Avio”, e cila prodhon motorë për dronë dhe raketa supersonike.
Sipas gazetës “Corriere della Sera”, njëri prej ish-agjentëve italianë të arrestuar dyshohet se i ka zbuluar kontaktit të tij rus identitetet e agjentëve të kundërzbulimit italian, të angazhuar në zbulimin dhe pengimin e aktiviteteve të inteligjencës ruse në Itali.
Avokati i ish-agjentit mohon kategorikisht akuzat për tradhti, duke deklaruar se klienti i tij, i cili pritet të merret nesër në pyetje, ka mbledhur vetëm informacione të disponueshme publikisht.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e cilësoi këtë rast si “vetëm majën e ajsbergut”, duke akuzuar Rusinë se po zhvillon një “konflikt hibrid” kundër Italisë dhe vendeve të tjera perëndimore.



Të tjera
Gjërat që nuk duhet t’i bëni para se të flini
Kastrati Group ndez atmosferën në Pejë
Italia dëbon dy diplomatë rusë të akuzuar për spiunazh