Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mbajë takim urgjent për sulmet e ShBA-së ndaj Irakut dhe Sirisë

Peter Due në KS të OKB-së: Sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit duhet të mbahen përgjegjës

Udhëheqësi i Misionit të UNMIK-ut, Peter Due, në raportin e tij gjashtëmujor të prezantuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka theksuar nevojën që autorët e sulmeve në Banjskë dhe Ibër-Lepenc të sillen para drejtësisë.

Në fjalën e tij hyrëse, Due ka deklaruar se OKB-ja mbetet e gatshme për bashkëpunim me Beogradin dhe Prishtinën me qëllim që përgjegjësit e këtyre sulmeve të mbahen përgjegjës.

Ai ka vlerësuar procesin zgjedhor të dhjetorit në Kosovë, por ka theksuar se zhvillimet politike janë vënë në provë nga ngecja në zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas tij, kapërcimi i dallimeve politike do të ndihmonte në shmangien e zgjedhjeve të reja dhe në fokusimin e institucioneve në interesin publik.

Duke folur për situatën në veri të vendit, Due ka vlerësuar rikthimin e përfaqësuesve të komunitetit serb në krye të komunave si një hap të rëndësishëm drejt riangazhimit në institucionet lokale, ndonëse ka theksuar se procesi mbetet sfidues.

Ai ka përmendur shqetësime për dorëzime të pjesshme, boshllëqe administrative dhe barriera gjuhësore.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Due ka mirëpritur kontaktet ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal në veri, duke theksuar se është shënuar progres në disa çështje.

Due ka bërë thirrje që palët të shfrytëzojnë momentin për të avancuar zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe ka shprehur shpresën për një takim të afërt ndërmjet presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës.

Në raportin e tij, Due ka vlerësuar edhe zgjidhjen e fundit të çështjes së Ligjit për të huajt, duke e cilësuar si zhvillim pozitiv.

Po ashtu, ka bërë thirrje për ruajtjen e pavarësisë së mediave, si dhe ka theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjeve për gjuhët dhe emërimit të Komisionerit për Gjuhët, me qëllim forcimin e përfshirjes dhe garantimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.