Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, në orën 17:00, një seancë solemne me rastin e shënimit të Ditës Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila shënohet më 14 prill.
Rendi i ditës përfshin shënimin e kësaj dite nën moton “Ma kthe dritën”, e cila i kushtohet përkujtesës së vuajtjeve dhe sakrificave të të gjithë personave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, raporton RTKlive.
Kjo ditë synon të nderojë kujtimin e të mbijetuarve dhe të rikujtojë përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës.
Më herët, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, kanë theksuar se kjo ditë, përveç se është e rëndë dhe e dhimbshme, përfaqëson edhe ditë guximi, duke kërkuar mbështetje të vazhdueshme institucionale dhe shoqërore, meqë, sipas tyre, e kaluara nuk mund të harrohet.
Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet e Kosovës, gjatë luftës së fundit janë regjistruar rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe, ndonëse numri i saktë mbetet i papërcaktuar.
Që nga viti 2014, me miratimin e legjislacionit përkatës, të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë kanë të drejtë të aplikojnë për statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe të përfitojnë pension mujor.



Të tjera
Sandalet me gisht aspak higjienike
Pija që duhet të pini para gjumit për bark të sheshtë
Balenciaga nxjerr në shitje fundin-peshqir, kushton plot 925 dollarë