Ministri i Jashtëm belg sot në Kosovë, pritet nga Kurti

Ministri i Jashtëm belg sot në Kosovë, pritet nga Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pritet të mbajë sot një takim zyrtar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, takimi do të zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë duke filluar nga ora 13:30.

Vizita e kryediplomatit belg është pjesë e një turneu rajonal, gjatë të cilit ai do të vizitojë edhe Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ai gjithashtu ka njoftuar se Shqipëria do të jetë pjesë e vizitave në një fazë të mëvonshme, kur pritet të hapet edhe ambasada belge në Tiranë.

Duke njoftuar për vizitën në vendet e rajonit, kryediplomati belg ka shkruar se është me rëndësi që për gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor të ruhet perspektivë e besueshme integrimi.

“Por procesi mbetet i bazuar në merita: presim prej tyre të kenë guximin për të zbatuar reformat e nevojshme, në lidhje me sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe pajtimin rajonal”, ka thënë Prevot. /