PDK për procesin në Hagë: Presim vendim të drejtë dhe të bazuar në prova të besueshme

PDK për procesin në Hagë: Presim vendim të drejtë dhe të bazuar në prova të besueshme

Partia Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, situatën e rënduar ekonomike me të cilën po përballen qytetarët, procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë, kur procesi tashmë është në fazën finale, PDK ka shprehur pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi përfundimtar të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova të besueshme, siç thuhet, larg çdo ndikimi politik apo perceptimi të njëanshëm.

PDK është shprehur se riafirmon bindjen e saj të palëkundur në pafajësinë e liderëve të UÇK-së dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare.

Në këtë mbledhje gjithashtu është diskutuar edhe në lidhje me atë që sipas PDK-së, gjendja ekonomike në Kosovë është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa qytetarët siç thuhet në njoftim, po përballen me rritje të papërballueshme të kostos së jetesës.

“Kërkohen masa urgjente, konkrete dhe efektive për mbështetje ekonomike dhe lehtësim të barrës financiare për qytetarët”, thuhet në njoftimin e PDK-së./kk