Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Tregtisë të Republikës së Turqisë, Omer Bolat, transmeton KosovaPost.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe e falënderoi ministrin Bolat për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme të Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës.
Teksa shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, Kurti tha se në dekadën e fundit janë dyfishuar shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve, me rritjen më të shpejtë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë.
Të dy diskutuan për mundësitë e zgjerimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë edhe për shërbimet, përfshirë ato profesionale, të teknologjisë së informacionit, të transportit dhe të logjistikës, si dhe shërbimet financiare. Në këtë kontekst, Kurti përmendi potencialin e jashtëzakonshëm të Kosovës për eksport të shërbimeve.
Kurti theksoi se do të ishte i lumtur që Forumi i dytë Ekonomik Kosovë-Turqi, pas atij në Stamboll më 2024, të mbahej në Prishtinë këtë vit, si një hap konkret i radhës, thellimit dhe i zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Ndërsa, u diskutua edhe për aktivizimin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar.
Me qëllim të ndërlidhjes globale dhe ekonomike, Kurti foli për synimet për hapjen e një linje të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën e Turqisë.
Pasi theksoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, Kurti përcolli mirënjohjen dhe falënderimet e tij për presidentin Recep Tayyip Erdogan për angazhimin dhe mbështetjen e posaçme ndërkombëtare për Kosovën./AA



Të tjera
Ushqimet që ndikojnë në gjatësinë e fëmijëve
Whitaker pas vizitës në KFOR: SHBA mbetet partneri më i fuqishëm i Kosovës në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes
Whitaker: Kosova po rrit rolin e saj si kontribuese në siguri