Në Prishtinë shpallet sot vendimi i parë për sulmin në Banjskë, ndërsa në Beograd nuk është ngritur ende as aktakuzë.
Pavarësisht thirrjeve të BE-së, SHBA-së dhe NATO-s, si dhe premtimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përgjegjësit do të ndiqen penalisht, kjo nuk ka ndodhur.
Për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, edhe pas gati tre vjetësh nuk ka aktakuzë ndaj organizatorit Millan Radoiçiq, i cili ndodhet në Beograd.
Atij i ndalohet ende të largohet nga vendi i tij i banimit dhe është i detyruar të paraqitet në polici, konfirmon për Radion Evropa e Lirë Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa Zyra e Prokurorit hesht për aktakuzën.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se nuk pret që të ngrihet ndonjë aktakuzë.
“Aktakuza për Banjskën do ta diskreditonte presidentin e shtetit, ushtrinë, policinë dhe politikën e Serbisë dhe të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) ndaj Kosovës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori vetë Radoiçiq, i cili në atë kohë ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, që mbështetet nga Beogradi.
Një polic i Kosovës u vra në atë sulm dhe tre të tjerë u plagosën, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Në disa incizime të publikuara nga autoritetet e Kosovës shihen burra të armatosur, mes tyre edhe Radoiçiq, me uniforma ushtarake kamuflazhi.
Sipas autoriteteve, ata janë filmuar në oborrin e Manastirit të Banjskës, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023.
Se çfarë e pengon ngritjen e aktakuzës në Beograd, të cilin kryeprokurori Nenad Stefanoviq e paralajmëroi për fund të vitit 2024 ose fillim të 2025-ës, nuk është e qartë.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.
Pa përgjigje kanë mbetur edhe pyetjet se çfarë kanë zbuluar deri tani hetimet dhe nëse, përveç Radoiçiqit, janë hetuar edhe persona të tjerë.
Në përgjigjen e fundit për Radion Evropa e Lirë, më 8 shkurt 2024, Prokuroria ka deklaruar se “po verifikon dëshminë e të dyshuarit” Radoiçiq.
Nga 45 persona të përfshirë në aktakuzën e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë, vetëm tre janë gjykuar – ata që janë arrestuar në Kosovë – ndërsa të tjerët janë në arrati.
Për ta, në dhjetor të vitit 2023, është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar nga agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse po i kërkon të dyshuarit e tjerë dhe cilat janë pengesat për arrestimin e tyre.
Gjykata e Lartë: Radoiçiq duhet të vazhdojë të paraqitet në polici
Millan Radoiçiq ende nuk lejohet të largohet nga vendi i tij i banimit, të shkojë në Kosovë dhe të largohet nga Serbia pa miratimin e gjykatës.
Pasaporta e tij serbe është konfiskuar.
Gjykata e Lartë në Beograd i tha gjithashtu Radios Evropa e Lirë se masa e detyrueshme e paraqitjes më 1 dhe më 15 të çdo muaji në stacionin kompetent të policisë në komunën Savski Venac, është ende në fuqi dhe se ai vazhdon ta zbatojë.
Ndalimi i largimit nga vendi i tij i banimit është zgjatur për herë të fundit më 31 mars, edhe për tre muaj të tjerë, tha Gjykata e Lartë.
Kjo masë mund të zgjasë për aq kohë sa ka nevojë dhe më së voni derisa vendimi të bëhet i formës së prerë, por gjykata shqyrton çdo tre muaj nëse kohëzgjatja e mëtejshme është e justifikuar.
Në territorin e komunës së Beogradit, Savski Venac, ka disa vila dhe ndërtesa luksoze në pronësi të kompanive dhe individëve të lidhur me Radoiçiqin.
Janjiq: Kosova dënon “të margjinalizuarit”
Gjykata Themelore në Prishtinë shpall sot vendimin e shkallës së parë për tre të akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Nga 45 të akuzuar, vetëm tre janë gjykuar – ata që janë arrestuar në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Ata i kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se nuk e kanë pasur qëllim të vrisnin.
“Kosova dënon të margjinalizuar”, thotë Janjiq.



Të tjera
Starmer reflekton mbi “realitetet politike” mes raportimeve për dorëheqje
Nuk hani perime? Gjenet mund të jenë fajtore
AC Milan Junior Camp Prishtina hap zyrtarisht edicionin e dytë