KosovaNews nëpërmjet ligjit për qasje në dokumentet publike ka kërkuar kontratat të cilat janë bërë në emër të marketingut gjatë periudhës sa e ka udhëhequr këtë ndërmarrje Fisnik Osmani, kontrata këto që janë të nënshkruara nga ky i fundit.
Sipas dokumenteve që kemi pranuar nga Termokos, katër portale – Periskopi, Paparaci, FrontOnline dhe Telegrami Sot – nga 1 nëntori 2024 deri më 1 nëntor 2025 kanë përfituar nga 800 euro në muaj secili, përmes kontratave të rregullta në emër të “marketingut”. Pagesat janë realizuar për një periudhë 1 vjeçare (2024-2025), duke e çuar shumën totale të shpenzuar në 38 mijë e 400 euro në vit për vetëm këto 4 portale.
Ky fakt ka shtuar dyshimet për keqpërdorim të ndërmarrjes publike dhe përdorim të mjeteve publike për menaxhim të imazhit medial, veçanërisht në një kohë kur kryeqyteti ka qenë objekt i kritikave të shumta publike të cilat padyshim se kanë munguar në këto portale.

Siapas të dhënave të ARBK-së portali “Periskopi” është në pronësi të gazetarit Ilir Mirena i cili dikur ka qenë ish-zv.ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifkimit Hapësinor njëherit edhe ish kryetar i degës së PDK-së në Obiliq.

“Paparaci” është në pronësi të gazetarit Vehbi Kajtazi, FrontOnline është në pronësi të gazetarëve Enis Veliu dhe Lavdim Hamiti ndërsa Telegrami Sot i përket gazetarit Florent Zeqaj.

Shpenzime marketingu nga një ndërmarrje pa konkurrencë
Këto shpenzime janë krejtësisht të panevojshme, duke marrë parasysh se Termokosi është ndërmarrje publike me monopol në tregun e ngrohjes qendrore në Prishtinë dhe nuk operon në kushte konkurrence që do ta arsyetonin nevojën për marketing komercial.
Në dokumentet e siguruara nuk saktësohet se çfarë fushatash konkrete marketingu janë realizuar, sa shpesh janë publikuar përmbajtjet dhe çfarë efekti kanë pasur ato në informimin e qytetarëve. Po ashtu, mbetet e paqartë pse janë përzgjedhur pikërisht këto katër portale që në fakt nuk janë portale me audiencë të madhe e për më tepër portali “Telegrami Sot” me pronar Florent Zeqaj nuk njihet fare në opinion publik.

Por sipas burimeve të KosovaNews brenda ndërmarrjes publike “Termokos”, në bazë të ligjit për qasje në dokumentet publike kjo ndërmarrje nuk i ka dërguar të gjitha kontratat që ka pasur në tri vitet e fundit me portale online për të cilën ka bërë kërkesë portali KosovaNeës. Ne kemi konfirmuar edhe në të paktën dy portale të tjera se kjo ndërmarrje ju ka dhënë nga 800 euro në muaj për marketing por që mungojnë në dokumentet që kemi pranuar nga Termokos.
Mungesë indikatorësh dhe transparence
Në kontratat e marketingut nuk përfshihen indikatorë të matshëm për efektin e shpenzimeve, si numri i leximeve, shtrirja e audiencës apo ndikimi informues. Kjo e bën të pamundur vlerësimin nëse këto kontrata kanë qenë në interes të publikut apo thjesht shpenzime sa për tua “nxe xhepin” e “mbyllë gojën” pronarëve të këtyre portaleve.
Portale me mungesë raportimi kritik për kryeqytetin
Një analizë e përmbajtjes së publikuar nga këto media online tregon mungesë të raportimeve kritike jo vetëm ndaj Termokosit por edhe kryeqytetit, Prishtinës, që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës , veçanërisht në periudha kur qytetarët janë përballur me keqqeverisjen 4 vjeçare të Përparim Ramës. Në këtë kontekst, kontratat e vazhdueshme të marketingut me media të ndyshme ngrejnë dyshime se këto pagesa kanë ndikuar në qasjen editoriale të mediave përfituese./KosovaNews



Të tjera
Si të parandaloni rënien e flokëve?
Kuvendi voton anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes
Çfarë ndodh nëse keni shumë selen në trupin tuaj?