Një zëdhënës i BE-së i ka bërë këto deklarata, teksa e ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 24 prill i ka dënuar tre të akuzuarit për sulmin: Bllagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Tolliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burgim.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, si pasojë e të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në këmbim e sipër të të shtënave u vranë edhe tre sulmues serbë.
Millan Radoiçiq, atëbotë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – mori përgjegjësinë për sulmin.
Tre të dënuarit kanë qenë pjesë e grupit prej 45 personash ndaj të cilëve kanë ngritur aktakuzë autoritetet e Kosovës, përfshirë Radoiçiqin. Përveç tre të dënuarve, pjesa tjetër e të akuzuarve janë në arrati.
Për autoritetet e Kosovës, Radoiçiq ka qenë “udhëheqësi i grupit terrorist” dhe sulmi është organizuar nga shteti i Serbisë. Beogradi, në anën tjetër, i hedh poshtë këto akuza.
Autoritetet në Kosovë i kanë ndarë procedurat penale kundër Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodheshin në paraburgim që nga shtatori 2023, ndërsa e kanë hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për një gjykim në mungesë për 42 të pandehurit e tjerë.
Institucionet e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje rregullisht autoriteteve të Beogradit që të përcaktojnë përgjegjësinë për sulmin dhe t’i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga blloku evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, autoritetet në Serbi nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë, madje as ndaj Radoiçiqit i cili besohet se është në Beograd.
Gjykata e Lartë në Beograd ka bërë të ditur se ekziston vendimi që ia ndalon Radoiçiqit largimin nga banesa e tij dhe ka detyrim që të paraqitet në polici, ndërsa Zyra e Prokurorit nuk e ka komentuar ndonjë aktakuzë eventuale.



Të tjera
10 mënyra për të mbajtur nën kontroll diabetin
Mendoni dy herë para se t’i shtoni ushqimit erëza pikante
Mbani dietë prej kohësh dhe nuk po dobësoheni, këto janë 5 gabimet e përditshme që po prishin gjithçka