Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, ka reaguar pas publikimit të një fotografie ku shihej një mesazh i tij gjatë seancës për zgjedhjen e presidentit, në të cilin shkruhej “po e votojmë karate”.
Bardiqi ka kërkuar falje publike, duke theksuar se mesazhet private nuk duhet të bëhen publike dhe se shprehja në fjalë ka qenë e përdorur në mënyrë sarkastike.
“Vendi është vendi i punës për deputetin, prandaj mesazhet në privat nuk e konsideroj se janë për publikun. Edhe ato mesazhe, siç e thashë, janë me sarkazëm. Pra, prej këtu i kërkoj falje nëse ka pasur ndonjë rezon, qoftë për Lëvizjen Vetëvendosje, për qytetarët dhe votuesit. S’ka të bëjë me asgjë, as ofenduese, as asgjë”, ka thënë ai.
Ai ka sqaruar edhe përdorimin e fjalës “karate”, duke insistuar se ajo ka qenë brenda thonjëzave dhe si shprehje ironike.
“E keni parë që është në thonjëza, domethënë si një fjalë me sarkazëm e përdorur, e që thjesht nënkupton se edhe në mungesë të opozitës, deputetët e mazhorancës do të bëjnë votimin sipas rregullave dhe procedurave. E dëgjuat edhe tash kryeparlamentarin, ushtruesin e detyrës së presidentit, e cila gjithashtu edhe një herë konfirmoi se vetëm një deputet ka kërkuar leje që mund të mungojë në seancë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Bardiqi.
Sipas tij, komunikimi ka qenë në kontekst jo formal dhe se nuk ka pasur qëllim ofendimi.
“Edhe një herë po e përmendi që thonjëzat janë ato që nuk mund ta konsideroni që është dhënë një epitet. Është bisedë mes miqsh edhe është me sarkazëm e përdorur, mirëpo nuk ka të bëjë me seriozitetin e procesit as me gjëra të tjera”, ka deklaruar ai.
Deputeti ka sqaruar edhe pjesën tjetër të mesazhit, ku përmendej një plan personal.
“Edhe pjesa në fund është ‘festa e gëzimit gjithmonë paqe’, që i bie se kanë qenë duke e anuluar një termin të paraplanifikuar për një festë të një miku, dy javë më parë së paku. Dhe thjesht i kam thënë se seancat e paplanifikuara zgjatin më shumë dhe se nuk mund të jemi pjesë e ahengut edhe ta ndajmë gëzimin me ta. Prandaj e keni parë në fund që i kam thënë ‘festa e gëzimit gjithmonë paqe’. Edhe ju nëse nuk e konsideroni që është cenim i privatësisë kjo, atëherë për besë nuk është në rregull kjo”, ka theksuar Bardiqi.



Të tjera
Kandidatja për presidente, Feride Rushiti shihet në ambientet e Kuvendit të Kosovës
Shpërthen Agim Bahtiri: Mos rrini nëpër skuta, sjellni nënshkrimet në Kuvend
Botërori 2026 me risi, lojtarët nuk i bartin kartonët e verdhë në fazën e knockoutit