Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë arritur konsensus për të lejuar vazhdimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë.
Në takimin e ambasadorëve të BE-së, një numër i konsiderueshëm shtetesh anëtare u shprehën kundër hapjes së Grupkapitullit 3, duke argumentuar se Serbia ende nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit, nuk është harmonizuar me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe vazhdon të ngrejë pikëpyetje për orientimin e saj strategjik.
Debati u zhvillua pasi Komisioni Evropian u rekomandoi me shkrim shteteve anëtare që Grupkapitulli 3 të hapet me Serbinë gjatë muajit korrik.
“Komisioni Evropian vlerëson se Grupkapitulli 3 mund të hapet në korrik, duke konsideruar se Serbia ka bërë disa përpjekje në çështje kyçe specifike dhe se është përmbushur balanca e përgjithshme e nevojshme për hapjen e Grupkapitullit 3”, ka thënë Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Hapja e këtij grupkapitulli do të nënkuptonte zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë. Ky proces ka mbetur i bllokuar që nga dhjetori i vitit 2021.
Fillimisht, arsyeja kryesore për bllokimin ishte refuzimi i Serbisë për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Më pas, pengesë u bënë edhe shqetësimet në rritje për gjendjen e sundimit të ligjit dhe standardet demokratike në vend.



Të tjera
Sinani: Vizita e Begajt në Preshevë, mesazh i fuqishëm i mbështetjes
Ndalimi i deputetëve të RMV në kufi/ Bardhi: Të hetohen veprimet e opolicisë së shtetit
E ndaluan të hynte në Shqipëri, reagon deputeti i Tetovës: Tiranët s’na kanë trembur, aq më tepër këta të Open Balkan