Çështja e Presidentit, Kurti nesër takohet me Abdixhikun

Kurti: Abdixhiku vetëm ka refuzuar propozimet tona, lista me 15 nënshkrime ishte e paqartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ka deklaruar se gjatë takimeve me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka pasur asnjëherë marrëveshje apo propozim konkret nga ana e kësaj partie.

Sipas Kurtit, komunikimi mes tyre ka qenë i njëanshëm, ku ai ka paraqitur vazhdimisht propozime, ndërsa Abdixhiku i ka refuzuar ato.

Ai theksoi se edhe në paraqitjen e fundit publike, të mbajtur në orët e vona të natës, përfaqësuesit e LDK-së dolën vetëm pas përfundimit të seancës dhe nuk ofruan asnjë propozim paraprak.

Kurti u ndal edhe tek letra me 15 nënshkrime e deputetëve, duke e cilësuar atë si të paqartë dhe jozyrtare.

Sipas tij, një dokument i tillë do të duhej të dorëzohej në mënyrë institucionale, qoftë tek shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, apo drejtpërdrejt tek ai.

Ai shtoi se në dokument nuk specifikohej qëllimi i nënshkrimeve dhe as nuk përmendeshin kandidatë konkretë, duke lënë të kuptohet se lista mund të dukej si një material i zakonshëm për ndonjë debat parlamentar.

“Unë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku jemi takuar disa herë, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë propozim për kundër saj mishte vetëm refuzime, unë propozime, ai refuzime, ndërkaq sa I përket paraqitjes së djeshme në orët e vona të natës së pari ata dolën pas seancës, e para seancës nuk e dhanë asnjë propozim. Letra me 15 nënshkrime do të mund të iu ofrohej LVV-së në mënyrë institucionale ose te shefja e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci ose tek unë. Nuk shkruante për çka janë ata emra, emri I askujt nuk ishte aty përveçse i 15 deputetëve, dukej si me pas qenë ndonjë listë për ndonjë debat parlamentar për energjinë ose diçka tjetër, aty nuk thuhej se këta emra janë për këta kandidat”, ka deklaruar ai./teve1.info/