Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mirëpritur rezolutën e paraqitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga tre kongresistë amerikanë: Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler që mbështet anëtarësimin e Kosova në NATO, transmeton KosovaPost.
Në postimin e tij të bërë në rrjetin social ‘’X’’, Kurti është shprehur mirënjohës për mbështetjen e palëkundshme të SHBA’ve ndaj Kosovës dhe gjithë rajonit.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të SHBA-së për prosperitetin tonë, sigurinë e vendit tonë dhe të gjithë rajonit.”, ka thënë Kurti.
Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake, thekson se anëtarësimi i Kosovës në NATO është thelbësor për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-ve në Evropën Juglindore.
Në dokument po ashtu vlerësohet qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike si argumente të forta për integrim në aleancë.
Qeveria e Kosovës e konsideron anëtarësimin në NATO si një nga prioritetet strategjike kryesore, duke e parë atë si garanci për paqe dhe siguri afatgjatë në vend dhe në Ballkanin Perëndimor.



Të tjera
Policia del me sqarim për Vilën e Radojiçiqit: S’është zhvilluar asnjë aktivitet i kundërligjshëm, monitorohet çdo hyrje-dalje
Çiftet që kanë miliona ndahen më miqësisht se tjerët
Ali Dula, zëvendësministër i parë në Ministrinë për Zhvillim Rajonal