Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Komunën e Prishtina, duke mohuar çdo marrëveshje të kësaj partie me Partia Demokratike e Kosovës për bashkëqeverisje.
Ai theksoi se LDK nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë marrëveshje të tillë me PDK-në, duke shtuar se çdo bashkëpunim eventual është në nivel të kryetarit të komunës.
“Nuk mund të them që ne kemi marrëveshje me PDK-në. Mund të ju gënjej, por s’kemi. Po ta kemi një marrëveshje të tillë, ma tregoni pra. LDK nuk ka bërë marrëveshje me PDK-në. E kam komunikuar edhe me Bedri Hamzën këtë çështje. Kemi thënë që s’kemi marrëveshje, në rregull. Meqenëse nuk kemi marrëveshje LDK-PDK, dua që të qartësoj për publikun, sepse mediat po pyesin që ka marrëveshje të tillë, se ne nuk kemi,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai shtoi se marrëveshjet që përmenden në publik lidhen me kryetarin e komunës, Përparim Rama, dhe jo me LDK-në si subjekt politik.
“Këto janë marrëveshje të kryetarit të komunës me partitë tjera politike. LDK me PDK nuk ka një marrëveshje të tillë,” u shpreh ai.
Abdixhiku rikujtoi gjithashtu se Rama ka qenë kandidat i pavarur në listën e LDK-së, duke theksuar se ai vazhdon të ushtrojë detyrën e kryetarit të komunës.
“Përparim Rama ka qenë kandidat i pavarur brenda listës së LDK-së. Ai vazhdon të jetë kryetar i komunës. LDK, me aq sa mundet dhe aq sa ka mundësi, do të kontribuojë në realizimin e programit fitues në Prishtinë. Ne kemi marrë mbështetje qytetare për këtë punë dhe jemi të interesuar të ndihmojmë qytetin,” deklaroi ai.
Në fund, ai përsëriti se nuk ka pasur asnjë bisedim për bashkëqeverisje me PDK-në në nivel partiak.
“Nëse më pyesni se a kemi marrëveshje me PDK-në, nuk ka një marrëveshje të tillë dhe s’ka pasur bisedime për bashkëqeverisje me PDK-në,” përfundoi Abdixhiku.



Të tjera
Gabimi që bëni kur mbani ilaçet në frigorifer
Dënohet rëndë sipërmarrësi kosovar: burg dhe gjobë milionëshe për para të dyshimta
Osmani: Nuk kam kërkuar asnjë pozitë nga askush, vendimet në kohën e duhur