Një delegacion i Policisë së Kosovës, në kuadër të një vizite zyrtare në Republikën e Turqisë, është pritur nga përfaqësues të lartë të Policisë Kombëtare Turke.
Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, është takuar me homologun e tij turk, kolonel Mustafa Çalışkan, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve dhe mundësitë e zgjerimit të tij.
“Vizita u realizua në kuadër të një delegacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, të kryesuar nga zëvendës drejtori i përgjithshëm. Gjatë takimit u diskutuan çështjet e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet dy organizatave policore, me theks të veçantë në bashkërendimin e aktiviteteve bilaterale”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit palët vlerësuan lart bashkëpunimin ekzistues, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informatave, zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjen në iniciativa të përbashkëta ndërkombëtare.
Po ashtu, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, migrimit ilegal dhe terrorizmit.
Gjithashtu, u trajtuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve profesionale, përfshirë zhvillimin e burimeve njerëzore, avancimin e kapaciteteve teknike dhe teknologjike.
“Të dy palët u dakorduan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe intensifikimin e kontakteve në funksion të rritjes së sigurisë dhe stabilitetit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, thuhet pos tjerash në këtë njoftim.



Të tjera
Presidenti Begaj kalon nëpër Kosovë, policia njofton për kufizime në trafik
Këto ushqime duhet t’i hani në mëngjes
Dogana ndalon 128 palë këpucë të markave të mbrojtura në Han të Elezit