Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj një artikulli të publikuar nga portali Insajderi, i cili pretendonte se ajo ka avancuar në pozitë një zyrtar të Agjencisë Kadastrale që dyshohet se është arrestuar, përcjell KosovaPost.
Në reagimin e saj, Pacolli e ka cilësuar këtë raportim si të pavërtetë, tendencioz dhe një dezinformatë të qëllimshme ndaj opinionit publik.
Sipas saj, pretendimet e paraqitura në artikull nuk qëndrojnë dhe nuk mund të ndodhin, duke sqaruar se emërimet apo përbërjet e komisioneve të brendshme në agjencitë përkatëse nuk janë kompetencë e ministrit.
Ajo ka theksuar se këto janë fakte të njohura institucionalisht, ndërsa ka akuzuar portalin për vazhdimin e praktikës së shpifjes dhe krijimit të mjegullës në opinion publik.
Po ashtu, Pacolli ka ngritur shqetësim edhe për mungesën e kontaktit paraprak nga ana e medias për verifikim të informacionit, duke thënë se nuk është kërkuar asnjë sqarim zyrtar nga Ministria para publikimit të lajmit.
Në fund të reagimit, ajo ka kërkuar nga Insajderi dhe mediat që kanë shpërndarë këtë informacion që ta demantojnë publikisht lajmin dhe të publikojnë përgënjeshtrim, ndërsa ka paralajmëruar se në të kundërtën do të ndërmerren veprimet ligjore përkatëse për shpifje.
Postimi i Plotë:
Lajmi i publikuar nga Insajderi me titull “Si e avancoi Fitore Pacolli në pozitë zyrtarin e arrestuar të Agjencisë Kadastrale?” është i pavërtetë, tendencioz dhe dezinformatë e qëllimshme e opinionit publik.
Asnjë veprim i tillë nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë, pasi komisionet e brendshme në agjencitë përkatëse nuk emërohen nga ministrja. Ky është një fakt i njohur edhe për këtë portal, i cili e di por vazhdon me praktikën e shpifjes, baltosjes dhe krijimit të mjegullës në opinion.
Insajderi gjithashtu ka shkelur Kodin Etik të Mediave të Shkruara, duke mos bërë asnjë përpjekje për të kontaktuar përfaqësues të Ministrisë për sqarime lidhur me këtë çështje, por vetë shkruajnë e vetë konstatojnë.
Kërkojmë nga Insajderi dhe të gjitha portalet e tjera që e kanë shpërndarë këtë lajm të rremë, që ta demantojnë dhe të publikojnë përgënjeshtrim.
Në të kundërtën, do të ndërmarrim veprimet përkatëse për t’i paditur për shpifje.
The post Ministrja Pacolli reagon ndaj raportimit të Insajderit: E pavërtetë dhe dezinformatë e qëllimshme appeared first on Kosovapost.net.



Të tjera
Maqedonci takon sekretarin e Industrisë Turke të Mbrojtjes, në fokus fabrika e municionit dhe bashkëprodhimet me Turqinë
Mblidhet Kryesia e PDK-së, merren vendime për fushatën dhe organizimin zgjedhor
OVL-UÇK: Shtyrja e vendimit në Hagë, goditje e rëndë ndaj drejtësisë