Shoqatat e dala nga Lufta refuzojnë pjesëmarrjen në “Ditën e Çlirimit”

OVL-UÇK: Shtyrja e vendimit në Hagë, goditje e rëndë ndaj drejtësisë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas shtyrjes së vendimit për ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar këtë vendim si një goditje të rëndë ndaj drejtësisë dhe të drejtave themelore njerëzore, transmeton KosovaPost.

OVL-UÇK vlerëson se qëndrimi në paraburgim për një periudhë të gjatë pa një vendim përfundimtar përbën një situatë të papranueshme.

“Gati gjashtë vjet paraburgim pa një vendim përfundimtar nuk është procedurë. Është dënim pa aktgjykim. Asnjë gjykatë e financuar në emër të demokracisë nuk mund të normalizojë një trajtim të tillë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e të cilëve i hapi rrugën lirisë dhe shtetësisë së Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas OVL-së, kjo vonesë po thellon një padrejtësi të papranueshme dhe po gërryen besueshmërinë e çdo institucioni që pretendon se mbron sundimin e ligjit. Organizata kërkon që shtetet demokratike të veprojnë.

“Dinjiteti i të akuzuarve, i familjeve të tyre dhe i popullit të cilit i shërbyen, nuk mund të mbahet peng i shtyrjeve të pafundme. Kërkojmë që shtetet demokratike që financojnë dhe mbështesin këtë gjykatë të veprojnë menjëherë. Nuk duhet të lejojnë shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të atyre burrave që vendin nuk e kanë atje, por pranë familjeve dhe popullit të tyre”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.