Kurti: Mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe industriale në Kosovë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se investimi në Parkun Industrial në Frashër është pjesë e mbështetjes për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe krijimin e kushteve për prodhim dhe punësim.
“Në këtë mënyrë ne po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që ja kemi Mitrovicës, e cila i dha aq shumë zhvillim e kulturë jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë kombit shqiptar. Dhe tash ne po ja kthejmë këtë me një investim këtu në Frashër, në shumën e gjithëmbarshme prej afër 1 milion euro për këtë park industrial, në të cilin do të mund të vendosen bizneset e ndryshme nga Mitrovica, nga Kosova, por edhe investitorë të huaj, ashtu që të rritet prodhimtaria e të shtohet punësimi”, tha ai.
Kurti shtoi se qeveria synon të modernizojë infrastrukturën për bizneset prodhuese dhe të rrisë eksportet.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, tha se fokusi i qeverisë është rritja e prodhimit vendor dhe zhvillimi i industrive me vlerë të shtuar.
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tha se komuna synon të krijojë kushte më të favorshme për investitorët dhe bizneset.
“Zotimi im si i pari i Mitrovicës ka qenë edhe është në baza ditore, që të krijojmë kushte dhe rrethana më të favorshme të bërit biznes, duke filluar nga mundësitë infrastrukturore dhe hapësirat fizike ose ndarja e parcelave që është njëra prej kërkesave të para të secilit investitor ose afarist që dëshiron që ta rrisë kapacitetin ose që të vijë në Kosovë për t’investu. E Mitrovica si komunë, në këtë fazë dhe me përkrahjen e pa rezervë të qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministrit dhe ministrave, vartësve të tij, e ka mundësinë ideale që të transformohet në njërën prej qyteteve më të zhvilluara sikurse ka qenë në të kaluarën. Aktualisht trendet dhe niveli i zhvillimit të komunës tonë nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm, ambicia jonë është që të vazhdojmë”, tha ai.
Kurti shkon në Mitrovicë, viziton kryetarin Faton Peci
Vizita është realizuar në kuadër të ceremonisë solemne për inaugurimin e fillimit të punimeve dhe vendosjen e gurthemelit të Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, një projekt i rëndësishëm që synon të nxisë zhvillimin ekonomik, të krijojë vende të reja pune dhe të tërheqë investime të reja në rajon.
Ky projekt po udhëhiqet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të sektorit prodhues dhe përmirësimit të klimës së biznesit në Mitrovicë dhe më gjerë.



Të tjera
Pse duhet të konsumoni arra çdo ditë
Prokuroria dhe Policia vizitojnë Hysni Mehanin në spital pas su*lmit br*utal nga Sami Lushtaku
Miratohen ndryshimet për Komisionin për Verifikimin e Statusit të të Dhu*nuarve gjatë Lu*ftës