Kurti: Mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe industriale në Kosovë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se investimi në Parkun Industrial në Frashër është pjesë e mbështetjes për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe krijimin e kushteve për prodhim dhe punësim.
“Në këtë mënyrë ne po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që ja kemi Mitrovicës, e cila i dha aq shumë zhvillim e kulturë jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë kombit shqiptar. Dhe tash ne po ja kthejmë këtë me një investim këtu në Frashër, në shumën e gjithëmbarshme prej afër 1 milion euro për këtë park industrial, në të cilin do të mund të vendosen bizneset e ndryshme nga Mitrovica, nga Kosova, por edhe investitorë të huaj, ashtu që të rritet prodhimtaria e të shtohet punësimi”, tha ai.
Kurti shtoi se qeveria synon të modernizojë infrastrukturën për bizneset prodhuese dhe të rrisë eksportet.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, tha se fokusi i qeverisë është rritja e prodhimit vendor dhe zhvillimi i industrive me vlerë të shtuar.
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tha se komuna synon të krijojë kushte më të favorshme për investitorët dhe bizneset.
“Zotimi im si i pari i Mitrovicës ka qenë edhe është në baza ditore, që të krijojmë kushte dhe rrethana më të favorshme të bërit biznes, duke filluar nga mundësitë infrastrukturore dhe hapësirat fizike ose ndarja e parcelave që është njëra prej kërkesave të para të secilit investitor ose afarist që dëshiron që ta rrisë kapacitetin ose që të vijë në Kosovë për t’investu. E Mitrovica si komunë, në këtë fazë dhe me përkrahjen e pa rezervë të qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministrit dhe ministrave, vartësve të tij, e ka mundësinë ideale që të transformohet në njërën prej qyteteve më të zhvilluara sikurse ka qenë në të kaluarën. Aktualisht trendet dhe niveli i zhvillimit të komunës tonë nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm, ambicia jonë është që të vazhdojmë”, tha ai.
Kurti shkon në Mitrovicë, viziton kryetarin Faton Peci
Vizita është realizuar në kuadër të ceremonisë solemne për inaugurimin e fillimit të punimeve dhe vendosjen e gurthemelit të Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, një projekt i rëndësishëm që synon të nxisë zhvillimin ekonomik, të krijojë vende të reja pune dhe të tërheqë investime të reja në rajon.
Ky projekt po udhëhiqet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të sektorit prodhues dhe përmirësimit të klimës së biznesit në Mitrovicë dhe më gjerë.



Të tjera
“SKANDAL NË SHOWBIZ: Arrestohet drejtori i ‘Onima’-s, Erkand Shabani – çfarë fshihet pas akuzave të rënda që tronditën industrinë muzikore?”
Kurti: 9 nga 10 reforma të rrezikuara për shkak të bllokadës në Kuvend
“Sulm qyqar që shpërfaq mendësi banditeske”- Kurti dënon sulmin ndaj Hysni Mehanit