Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri Andin Hoti, me rastin e përvjetorit të 27-të të zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti, vizitoi Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe.
Duke kujtuar profesorin Hoti dhe veprën e tij, kryeministri në detyrë Kurti tha se ai ishte një mendje jashtëzakonisht e ndritur jo vetëm e shqiptarëve, për shkak se teoritë e tij politike kanë vlerë universale.
“Me shumë pikëllim e dhimbje kujtojmë ditën kur para saktësisht 27 viteve profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, ku po mbahej si rob lufte, ku ishte fillimisht i burgosur politik, vetëm dhe vetëm që më pastaj të zhdukej dhunshëm dhe sot e kësaj dite ne të mos dimë gjë për të”, theksoi ai.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se veprat e Ukshin Hotit do të hyjnë në një fazë rileximi pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për botimin e tyre.
Deklarimi i plotë i kryeministrit në detyrë Kurti:
Ndodhemi këtu te Shtëpia Muze në Krushë të Madhe, në vendlindjen e profesor Ukshin Hotit, të bacës Ukë. Një mendje jashtëzakonisht e ndritur e shqiptarëve, dhe jo-vetëm, për shkak se teoritë politike të tij kanë vlerë universale dhe padyshim lexohen e do të studiohen edhe nga popujt e tjerë.
Janë teori të cilat i japin rol vendimtar vullnetit të popullit, janë teori të cilat tregojnë se si republika demokratike është sistemi më i mirë politik dhe gjithashtu janë teori të cilat i japin inkurajim emancipimit dhe çlirimit të popujve mbarë.
Sot, më 16 maj, ne me shumë pikëllim e dhimbje kujtojmë ditën kur para saktësisht 27 viteve profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, ku po mbahej si rob lufte, ku ishte fillimisht i burgosur politik, vetëm dhe vetëm që më pastaj të zhdukej dhunshëm dhe sot e kësaj dite ne të mos dimë gjë për të.



Të tjera
11 persona lëndohen në një ak*sident mes tri veturave në Deçan
Si të udhëtoni duke shpenzuar më pak para?
Fillojnë punimet për rrugën Mushtisht–Delloc, investimi 1 milion euro